Op/Ed

Miranda Shala për Albin Kurtin: “E kemi bërë Zot, një të pazotë”

Më kujtohet akoma kur bërtisja me të madhe ‘NATO-UÇK’…Atëkohë vetëm 5 vjeçe, mund të mos e dija kush e çka ishin, por padyshim e dija që ishin arsyeja që isha kthyer në shtëpi e po flija në krevat, në vend të gjumit mbi thasë patatesh ku veç krismave të armëve, natën e bënin edhe më të tmerrshme minjtë me të cilët e ndanim atë garazhin, në atë fshatin larg shtëpisë.

Nga Miranda Shala

S’e di sa nga ju keni kujtime të tilla. Supozoj shumë…

Çfarë ndodhi më pas?

Kur disi jeta u kthye në normalitet, dolën disa pamje të guximshme të një djali të ri e karizmatik nga një burg i Serbisë. Pamje që mundësuan që ky djali të kthehej shpejt në sytë e popullit si ‘hero’ – ndonëse vazhdon të mos jetë e qartë nëse kishte kapur apo jo ndonjëherë armë në duar.

Që atëherë, Albin Kurti nisi misionin e tij të vetëm: Ta largojë popullin nga ata për të cilët dihej sigurt se kishin kapë armët, e siç po shihet kohëve të fundit, ta largojë popullin edhe nga ata që kishin mundësuar përfundimisht që ‘Kosova dhe Metohija’ të bëhet Kosovë, e dini besoj për kë e kam fjalën. Po flas për ShBA-në, po flas për BE-në…

Me këta të parët, avash avash i’a doli. Jo po kravata e Ramushit, jo po shkolla e djalit të Thaçit. Bëri si bëri, na bindi se po e mori çështjen e Kosovës dikush që e flet anglishten më bukur se Thaçi, ai duhet të jetë edhe më i mençur. E kështu, një ditë të bukur vendosëm në masë që vendin tonë t’ia besojmë zotit Kurti.

Dalëngadalë, Kurti na solli në një moment ku të gjithë ata që dikur kishin dalë rrugëve të pangrënë e pakrehur për t’iu hedhur lule tankeve të KFOR-it, tani besojnë se në fakt s’u kemi naj borxh.

E mbani mend. Amelika, Amelika, Amelika… Kjo Amelika e Kurtit është po e njejta Amerikë për të cilën në një kohë nxirrnim brohoritma falënderuese, e njejta së cilës i kishim e i kemi borxh frymën që nxjerrim.

Çfarë po ndodh?

Pasi e bindi popullin që dikush që kishte luftuar maleve e që i bindet Amerikës, s’është ai që duhet besuar, se një i tillë që kishte rrezikuar jetën për Kosovën po punonte në dëm të Kosovës. Tani, kryeministri jonë i dashur po e vazhdon rrugën për të bindur popullin që ne jemi aq të fortë sa s’na duhet fare se çka thotë Amerika e BE-ja.

Hajde të gjithë #me kryeministrin. Se Kurti është një, se Kurti është i gjithdijshëm…

E kemi bërë Zot, një të pazotë.

Por, besoni që nëse ky ‘zoti’ ynë, s’do të ndalet të reflektojë do të na çojë në humnerë. Situata është serioze!

Nuk dua të ndjell keq, shpresoj shumë që të jem gabim e të mos vijë dita që të qajmë për njerëz që mund të shkojnë viktima të egos së tij. Por, një gjë është e qartë. Me vendimet e tij po vihen në bast edhe jetë njerëzish.

Tani, s’e di se kush është më i lajthitur, ky vet apo facebookianët që s’ditën një herë ta vënë gishtin në kokë por vazhdojnë e e lartësojnë pafund. Ndonjëherë më vjen në mend Kim Jong Un – duket sikur shumë shpejt, do shohim situata kur Kurti flet e njerëzit do të nisin të qajnë, në atë pikë pra kemi arritur. Shpjegim; kjo s’është mirë. Mos të harrojmë se si kanë jetuar e jetojnë ata që emocionohen teksa u flet lideri i tyre. Kemi shembuj nga gjeografikisht shumë afër dhe larg.

Prandaj, sinqerisht do të doja shumë që gjithë përpjekjet e tij për të treguar se ne s’kemi pse i ‘përulemi’ askujt të ishin vetëm sa për fushatë. Do të doja vërtetë shumë që Kurti të komentohej nga ndjekës të zhgënjyer, nga ata që do i thonin ‘aaa si na paske gënjyer, aaa si na ule para BE-së, a pse pranove çka tha BE, pse pranove çka tha Amerika.’

Për të mirën e të gjithëve, do të doja të shihja një thyerje guximi e mendimi idiot që Kosova s’ka nevojë për askënd tjetër se ka ‘luanin’, do të doja vetëm një hap prapa nga ajo ‘boll na kane kallxu cka me bo, baba s’i vet mo’. Është e rrezikshme!

Më vjen keq që shoh akoma njerëz që thonë ‘ky eshte kryeministri qe duam’ e fraza të ngjashme. Më vjen keq, dhe atë për një arsye të vetme se pasojat e largimit nga Perëndimi, s’do i vuajë kryeministri. Do i vuajmë vetëm ne.

Prandaj, uroj një zgjim të shpejt nga ky gjumë letargjik, përpara se të gjejmë veten në një situatë duke u lutur për ato tanket që u hidhnim lule e që s’do i gjejmë.

Besoj e dimë të gjithë, vendi s’mbrohet me ’emoji’ facebook-u… E unë deri në këto momente s’kam njohuri për ndonjë bazë tonën aq të fuqishme nga e cila mund të marrim guxim për t’u rreshtuar të vetëm.

Po pati Albini le të na tregojë, të mos vazhdojmë t’i biem në qafë kot…