Op/Ed

Mesazhi im për Klan Kosovën: Largojeni Stresin nga gara

Goditja e Stresit në të pasmet e Julianes ishte aq e fuqishme, sa ndoshta përveç sulm seksual do të mund të kategorizohej edhe sulm fizik. Kodi Penal një sjellje të tillë e konsideron, minimumi, si Ngacmim Seksual. Fakte ka mjaftueshëm.

Shkruan: Berat Buzhala

Në dy raste, me zë dhe me figurë, Stresi i ngacmon seksualisht dy banore të Big Brother VIP Kosova: Gresën dhe Julianen. Të parës ai në mënyrë perfide, por tipike për një mashkull të frustruar shqiptar, ia prek gjinjtë. Gresa reagon duke ia larguar dorën, por ajo nuk mbireagon, sepse kjo është, fatkeqësisht kultura jonë, ku gratë nuk janë shumë të sigurta për kufijtë e autonomisë personale. “E kam pak si shok”.

Në rastin e dytë, goditja e Stresit në të pasmet e Julianes ishte aq e fuqishme, sa ndoshta përveç sulm seksual do të mund të kategorizohej edhe sulm fizik. Reperi nga Shqipëria me sa mundi, me pëllëmbën e dorës së tij, u lëshua mbi Julianën. Nga ajo çfarë shihet në pamje, reagimi i Julianës ishte diçka mes frikës dhe tmerrit. Prapë, si në rastin e dytë, ashtu edhe në rastin e parë, as Juliana nuk ishte e sigurtë se sa larg do të mund të shkonte për ta mbrojtur veten nga predatori. Raporti është i tillë dhe i komplikuar. Brenda një shtëpie, të sulmon, ngacmon, dikush që sikur të kishte ndodhur në kafe a restorant do të bëhej hataja. “Ndoshta nuk e pat shumë me të keq”.

Ngacmimi seksual nuk lexohet kështu, e as nuk shikohet kështu. Ngacmimi seksual është çdo lëvizje ndaj integritetit tënd trupor që ti nuk do të dëshiroje të kishte ndodhur – pra cdo prekje. Ngacmim seksual është edhe çdo abuzim verbal kundrejt teje, që ti nuk do të kishte dashur të kishte ndodhur. “O ta hangsha….”, është ilustrimi më i mirë – i keq, kuptohet.

Tash u bë shumë zhurmë, posaçërisht në media online, se a duhet Stresi të vazhdojë të mbetet brenda shtëpisë, a duhet të dëbohet prej aty. Arkimed Lushaj, i njohur me emrin artistik si Stresi, vetëm një test do të mund ta kalonte për të mos u dëbuar nga Big Brother Kosova: Nëse votimet kryhen Në Facebook ose në ndonjë Odë. Mirëpo nuk janë këta që duhet të pyeten. Se a e ka tejkaluar Stresi vijën e kuqe, duhet të pyeten gratë, e jo burrat, e posaçërisht jo burrat me edukim të varfër.

E di, Kosova ka qindra probleme të tjera më të rëndësishme se sa tash të humbim kohë që të merremi me Big Brother dhe reality show. Prandaj, ne në gazetën Nacionale kemi rënë dakord që të mos raportojmë për zhvillimet aty, as në përgjithësi në show bizz, përveç nëse zhvillimet aty, ose zhvillimet në show bizz, e tejkalojnë show’in dhe kalojnë në fusha të interesit shoqëror.

Çka ka interes shoqëria te rasti i Stresit?

Si pikë e parë është shkelur, minimumi, një ligj, i cili flet për ngacmimet seksuale. Qe cka thotë neni 183 i Kodit Penal, kur flitet për ngacmimet seksuale:

“Kurse ngacmimi seksual sipas Nenit 183 paragrafi 2 nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues”.

Dënimet për këtë shkelje ligjore janë ose me gjobë ose deri në 3 vjet burg, ose të dyjat, kurse, siç edhe shihet nga pamjet vizive Stresi e shkel me të dyja këmbët këtë ligj. Nëse dikush ngacmimin seksual e ngatërron me dhunim seksual, pra marrëdhënie jokonsensuale seksuale, atëherë me të tillët është e vështirë të shtyhet muhabeti me tutje.

Ngacmimet seksuale janë hyrje në botën e abuzimeve seksuale, janë pjesa e ushtrimeve për të shkuar drejt llahtarisë. Është dera për në ferr. Biografia e dhunuesve më të tmerrshëm seksual nuk fillon me përdhunim. Ajo ka filluar me pickim, prekje gjinjësh, goditje në prapanicë, fjalor mizogjen, për të përfunduar pastaj në dhunim. Normalizimi i raportit superior gjinor, kur mashkulli si më i fuqishëm, i ka në dorën e vet disa leva të pushtetit që nuk i ka gruaja, është zanafilla e problemit.

Kurrë më shumë se në vitin e fundit nuk kemi debatuar dhe nuk e kemi sensibilizuar opinionin me këtë temë. Me të drejtë dhe me arsye. Shumë gra dhe vajza të reja janë vrarë dhe janë abuzuar. Në të gjitha format, e edhe seksualisht. Një fëmijë është dhunuar nga të paktën njëmbëdhjetë burra. Të gjithë ne u patëm çmendur! “Si ka mundësi që kjo të ndodhë?” – kemi pyetur të shokuar. Me gjasë patëm pas menduar që një dhunues bëhet dhunes brenda një dite. Pra, gjithë jetën e tij ka qënë një person normal, pastaj vendos befasisht ta zaptojë një grua dhe ta dhunojë atë. Jo. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Ai kuadër fillimisht edukohet, bindet, ushtrohet, pra fillimisht me ngacmime seksuale e me gjuhë seksiste, e krejt në fund edhe bëhet pjesë e aktit monstruoz të dhunimit seksual.

Është e pamundur, kur ndodhin lajme të kësaj natyre, të mos lexosh postime dhe komente të llojit: “Çka ish veshë ajo ashtu? Çka ka lypë ajo aty? Çka ish shtri ajo aty?” Këta njerëz nuk shohin në njerën anë. Si të themi, kur janë në pyetje ngacmimet seksuale, kanë shumë “blind spots”. Nuk shohin me atë sy. Sepse as nuk mund të shohin. Janë rritur, edukuar dhe kulturuar në atë frymë. Polemika e madhe që është zhvilluar në Perëndim me ketë tematikë, e nxitur nga Lëvizja, #metoo, duket që prapë ne na ka zënë në gjumë, siç na kanë zënë në gjumë shumë lëvizje të tjera përparimtare.

Dëshmi për këtë është ngurrimi i Klan Kosovës për t’ia treguar derën Stresit. Është e pamundur të mos e shohin gabimin, dhe krimin. Shoqëria avancohet kur i forti ndëshkohet, e jo kur fuqia e shtetit bie mbi të dobëtin.

Klan Kosova, si televizioni më i madh në vendin tonë, nuk duhet të lejohet që të kalojë pa therë në këmbë prej kësaj afere. Nuk mund të apelojmë për të drejta të barabarta, për dënim të sjelljeve abuzive, kurse kur një gjë e tillë të ndodhë para hundëve tua, ti e kthen kokën në anën tjetër.