Op/Ed

Kuisja, pishmanlia dhe shamia

Disa shpjegime përmbajtjesore lidhur me rolin e avokatit në mbrojtje të të drejtave të njeriut, debatin për shami dhe përgjigje ndaj zërave që lëshohen për këto tema.

Shkruan: Arianit Koci

1.

I shtyrë nga vizita e disa qytetarëve në avokatinë time, të cilët autoritetet shtetërore në disa qytete i pengonin në regjistrimin e vajzave kokëmbuluara në shkolla të mesme (në disa qytete tjera, regjistrohen pa asnjë problem), shkruajta një status në cilësinë e avokatit, në profilin tim të rrjetit social facebook, i cili përmbante interpretime dhe konstatime juridike.

Disa e gjeten veten në atë shkrim: të lodhur e të mllefosur ngase të drejtat dhe liritë themelore të tyre viheshin në pikëpyetje pa të drejtë – pa ligj.

Por, një mysliman pishmanli, nuk mujti pa më kundërshtuar, dhe atë e bëri duke me diskriminuar.

Xhemal Ahmeti i cili në vitin 2015 e ndërroi emrin në Jon Leka, iu replikoi konstatimeve të mia juridike me një shkrim në formë piskame.

Më akuzon mua për dhënien e pretenduar të “fetvave”, e fetvatë i jep vet.

Po të doja ta ulja nivelin e debatit, siç e ka ulur z. Ahmeti me përmendjen e fesë time jashtë kontekstit të tekstit tim, do të thoja që ndërrimi i emrit dhe mbiemrit, në moshë të pjekur mund të reflektonte problemin me identitetin. Ka shumë literaturë për këtë. Por jo!

Ka të drejtë Xhemali ta ndërrojë emrin në Jon dhe mbiemrin Ahmeti në Lekaj ose Leku ose edhe Lejleku pasi është e drejtë dhe mund të motivohet qoftë nga komplekset identiatare ose edhe shtytjet tjera materiale e tendence për t’i hyrë dikujt në qejf.

Ka edhe të drejtë edhe ta rindërrojë!

Në shkrimin e tij, Xhemali i ndërron rolet si Joni çorapat. Herë flet si jurist duke dhënë interpretime rreth neneve të Kushtetutës e herë si dijetar Islam e historian i kësaj feje, duke dhënë “fetva” për obligueshmërinë e mbulesës islame.

Sidoqoftë, përmendja e përkatësisë sime fetare në artikullin e Xhemalit, pa qenë fare objekt i temës për të cilën e kam trajtuar në postim, më ka bërë të ndihem i diskriminuar.

Për mua, pas tekstit të z. Ahmeti mbetët dilema, a nuk kam të drejtë si katolik, t’i mbroj klientët e mi, apo nuk kam të drejtë ta shprehi mendimin tim profesional. Ndoshta dyjat.

Apo kam të drejtë vetëm atë çka Xhemal Ahmeti më lejon.

2.

Për mua si katolik, shamia e gruas myslimane është e barazvlefshme me kryqin tim të arit që e mbaj rreth qafe. Hiç ma shumë se sa një simbol i pafuqishëm për të demonstruar fuqinë e besimit në zëmër.

Por, praktikueset e kësaj feje thonë se shamia e tyre ka dallim substancial nga kryqi im. Më thonë se shamia e tyre është obligim fetar ndërsa kryqi im simbol fetar.

E meqenëse e thonë ata, unë ju them “në rregull, quajeni si të doni, ju e dini më mirë”.

Është e pakontestueshme se me atë shami, këto vajza e gra manifestojnë përkatësinë e tyre fetare.

Edhe nga aeroplani po ta shihja ndonjërën prej tyre, do të dija se është myslimane.

E kur shkaku i kësaj cope të pëlhures, del ndonjë individ i mveshur me pushtet dhe ia ndalon dikujt të drejtën e shkollimit, aty fillon debati juridik mbi zbatimin selektiv të kornizës ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.

3.

Si një jurist që nuk je Xhemal, mundohesh të përkufizosh sekularizmin dhe institucionin publik, e të avokosh për të drejtat e fëmijëve.

Nga urrejtja dhe mllefi yt prej një myslimani pishmanli, ti i fut qytetaret kokëmbuluara në thesin e ligjthyesve.

Sipas mendimit tënd, identiteti sekular i shtetit dhe ligjet e tij qenkan të rrezikuara nga avokatët apo nga disa vajza me kokë të mbuluar. Sipas propagandës tënde, unë po thirrkam për “sheriatizmin” e institucioneve publike.

Pasi të konsultosh literaturën përkatëse, do të mësosh se sekularizmi siguron “neutralitetin” e institucioneve shtetërore në çështje të feve.

Sipas sekularizmit, qeveria nuk duhet të imponojë apo të ndalojnë ushtrimin e lirë të fesë nga njerëzit, duke e lënë zgjedhjen dhe praktikimin e fesë në lirinë e njerëzve.

Konstatimi se feja duhet të shihet si çështje private është konsekuencë e sekularizmit. Mbrojtja më e mirë për praktikimin e lirë të fesë qëndron në ruajtjen fanatike të identitetit sekular të një shoqërie demokratike.

Mirëpo, çfarë do të thotë ky “neutralitet” i aparatit shtetëror? A duhet të jetë vetëm institucioni neutral në çështje fetare apo edhe qytetari i cili merr shërbim nga ai institucion?

Nëse shteti, në emër të neutralitetit të vet, kërkon edhe nga qytetari të jetë neutral në çështje fetare, atëherë i pari (shteti) ka cenuar rëndë lirinë themelore të të dytit (qytetarit). Aq më shumë, një qasje e tillë do të shpërfaqte avokimin ndaj një botëkuptimi i cili haptas do të kundërshtonte parimin e neutralitetit, për të cilin shteti do të pretendonte se po angazhohet.

Vetëm me kuptimin e zbatimin e drejtë të sekularizmit, mund të garantohet respektimi i lirisë fetare të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Vetëm me zbatimin efektiv dhe të unifikuar të ligjeve dhe të kushtetutës, do të kemi sundim të ligjit dhe siguri juridike për të gjithë qytetarët, pa dallim.

4.

Zotëri, mësoje njëherë e përgjithmonë, se avokati nuk i propozon ligjet dhe nuk i miraton ndryshimet e tyre. Përveç me fuqinë e një sovrani që hedh votën në zgjedhjet e përfaqësuesve të popullit në Kuvend, asnjë ligj i vetëm nuk është i rrezikuar nga avokati.

Mirëpo, preferencat dhe teket ditore të bartësve të pushtetit ekzekutiv, të cilët keqpërdorin pushtetin në dëm të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, vërtetë do të jenë të rrezikuara nga veprimtaria ime. Për klientët e mi, por edhe për të mirën e përgjithshme duke ofruar shërbime “pro bono”, do të përdori të gjitha mjetet juridike për të kundërshtuar veprimet e vendimet arbitrare të pushtetmbajtësve.

Institucionet shtetërore duhet të angazhohen për të siguruar sundimin e ligjit në gjithë vendin!

Kur vajza me shami të kokës ia mësynë shkollës, atëherë Kushtetuta dhe ligjet duhet të mbizotërojnë ndaj preferencave të një ministri a partie, të paketuara në udhëzime e rregullore.

Këtë e përcakton doktrina e supremacisë kushtetuese, të cilën e përqafon sistemi kushtetues i Kosovës.

Kushtetuta jonë i garanton një serë të drejtash themelore njerëzore. E njëjta Kushtetutë parasheh formën se si dhe në çfarë rrethanash këto të drejta mund të kufizohen. Akti më i lartë ligjor thotë se të drejtat themelore kufizohet me ligje.

Ligjet i miraton Kuvendi ndërsa i zbaton ekzekutivi. Ministri nuk mund të zë karrigen e deputetit dhe as deputeti karrigen e ministrit. Këto rregulla janë të vendosura për të parandaluar abuzimet me pushtetin nga ana e pushtetmbajtësve.

5

Përveç tjerash, edhe dy fjalë për rolin e avokatit.

Avokati ndihmon administrimin e drejtësisë. Avokati i mbron interesat e klientit (ligjthyesve dhe viktimave) deri në pikën ku e lejon ligji.

Mbi të gjitha, edhe ligjthyesit që i përmendni z. Ahmeti, kanë të drejta, dhe shpesh askënd nuk e kanë afër kur iu shkelen ato të drejta, përveç avokatit. Madje as familjet!

Kështu funksionon drejtësia.

Por, një gjë mbajeni në mend: avokati nuk i mbron klientët nga ligji por nga abuzimi me ligjin!

Sërish e përsëris: Neni 3 pika 1.13 e Udhëzimit administrativ të MASHT-it 06/2014, dhe i cili po zbatohet selektivisht, është i paligjshëm dhe jokushtetutes. Ministria e Arsimit duhet të angazhohet që të shfuqizojë këtë dispozitë sa më parë!