Op/Ed

Korrupsion, nga do t’ia mbash tani?

Shkruan: Atdhe Gjoci

Korrupsion, nga do t’ia mbash tani? Do rrish a do ikësh? Ministri pas ministrie, je bërë si fruthi që gjithsesi një herë në jetë duhet ta kryejë njeriu i pavaksionuar, e neve vaksina po na mungon për Covid’in e lërë më për ty, korrupsion. Po gjendesh kudo, po shpërfaqësh nga llupa e thyer deri më tani. Mos u ndikua llupa nga qeveria në ardhje dhe tani fshiu sytë që i kishin mbuluar skllopat nga gjumi dy dekadësh? Drejtësinë e kishe kapluar që moti, tani edhe bujqësisë i hyre.

Je bërë si molat e dysheqeve që korrupsionomania flenë mbi ju? Erdhe si më natë dhe për 21 vite, gjete mëshirën konaqeve e posteve të njerëzve më të ndyrë të kombit tonë. Korrupsion, më thuaj a do e gjesh rrugën të ikësh ndonjëherë bashkë me nepotizmin dhe arrogancën e analfabetëve të diplomuar? As mortaja, sarsi, zhuga e korona bashkë nuk të mundin ty në prezencën tënde. Je më i dashur se vet shfalerkat e horrave. Më thuaj të paktën, se do ta tkurrësh habitatin tënd. Hajnia nuk të lëshoi radhë duke operuar dhomave të dëshmive në stacionet policore të Kosovës si vendet më të sigurta në këtë Republikë. Po ashtu dhe thesari shtetit ku vet përgjegjësit i vodhën 2 milionë euro. A thua sa e sa herë është vjedhur e keqpërdorur thesari, e ne nuk e kemi ditur?

Më ngazëlleu një flamurtar i yni kur e pat nxjerrë një margaritar nga vokabulari tij, kur tha: “Nuk u ba kiameti, çdo qytetar me i dhanë nga një euro, i plotësojnë dy milionë. Jo zotëri i dashur, se edhe sikur çdo qytetar t’i japë nga 1 euro, dy milionë s’bëhen dot. Nga dy milionë banorë rreth 200 mijë i pat punësuar Isa Mustafa me valën e ikjeve në vitet 2014/2015 në kërkim të shpresës në rrugët e botës. Kishim edhe më herët vale ikjesh, po përmendim natën e zezë të 14 e 15 tetorit të vitit 2009 ku në lumin Tisa humbën jetën 15 njerëz, burra, gra e fëmijë. Kjo valë s’po ndalet as sot, sepse ju është vrarë shpresa për të ardhmen.

Për të gjitha këto raste të lartcekura, asnjëri nuk ka dhëne dorëheqës, madje as sot s’ka mbetë moral politik e njerëzor që në emër të dinjitetit e njerzillëkut të bëhet burrë dikush nga këta dhe të japë dorëheqës. Kur është puna për përfitime politike, të gjithë ngrihen në këmbë kinse në mbrojtje të kombëtarizmës.

Më duket pasionante kritika e disa intelektualëve në Kosovë në rastin e hartës që u pa në zyrën e Lajçakut e që Kosova aty figuron bashkë me Serbinë si dy shtete të pa ndara. Po pse nuk e thoni të vërtetën se edhe Lajçakun në dilema e keni qitur. Kur u shpall Kosova shtet i pavarur me simbol shtetëror, hartën e Kosovës me yje, aty ishin të pa përcaktuar kufijtë final, ani pse thuhej se këta janë kufijtë dhe se nuk do të ndryshojnë. Por, edhe atëherë ky simbol me asoconte me simbolin dhe fatin shtetëror të Qipros. Duke mos dashur ta pranojnë të vërtetën ose më mirë të them, duke bërë trillime para qytetarëve, politika jonë bënte demarkime kufijsh të kontrabanduara brenda natës. Me Maqedoninë e Veriut humbëm territor, por harta nuk lëvizi. Po ashtu me Malin e Zi humbëm territor, prapë harta nuk lëvizi.

Që të jeni korrekt me popullin, duhet të ndodhte o njëra o tjetra. Po këtu dikush po rren. Tani edhe Lajçaku e ka të pa qartë se çfarë harte të mbajë, ngase ne po i lëvizim vijat kufitare brenda natës dhe si të tilla nuk i japin siguri askujt të përcaktohet për një hartë të vetme dhe të palëkundur. Sa kontradiktor qe jemi. Edhe Gjykatën Speciale vet e krijuam dhe tani ngrihemi si gjeldeca për ta zhbë atë. Ata që sot janë te akuzuar nga kjo gjykatë, në atë kohë bënin presion që të votohet dhe si e tillë të funksionojë me ligjet e Kosovës. Çka u bë tani? Hashim të paska dal qeshja vajë si duket! Sikur të mundje ta ndërroje veten me ndonjë shok tëndin, mirë do ishte. Ne shqiptarët jemi të çuditshëm, me e pas bishtin, pse e ke, mos me e pas, pse s’e ke? Hashim, trillet s’të çojnë askund. Doje edhe bashkim me Kosovën Lindore, madje edhe pa këmbim, çfarë marrëzie të luash me ndjenjat e vëllezërve tanë nga ajo zonë. Rama shkoi edhe përtej kësaj me “Mini-Schengen-in”, vetëm që të kënaqte mikun e tij, Vuçiqin.

E sikur të ndodhte bashkimi me Kosovën Lindore dhe “Mini-Schengen-i Ballkanik” çka t’i bënim Lajçakut sot? Ta kritikonim apo ta lavdëronim? Çfarë maskilizmi në elitën intelektuale hipokrite mbarë shqiptare, e cila tërë jetën e vet luftoi për bajrak e kolltuk, e jo për kauza të drejta kombëtare. Kauzat ua mbanin patriotë të devotshëm e pa pushtet, madje edhe të përndjekur nga vet kasta kriminale që kanë qeverisur me dy vendet tona si andej e këtej kufirit. Hajde të themi se Lajçaku vërtetë po i dojka serbët, e neve jo, u pajtova me ju tani, por jo edhe pa e pranuar fajësinë tuaj. A nuk jemi ne shqiptarët ata që i dekoronim me dekorata nga me të ndryshmet gjeneralët serbë që vëllezërit e motrat tona na i vrisnin e dëbonin. Ja disa nga të dekoruarit se po t’i përmendim të gjithë më radhë s’na i zë fleta.

Gjeneral Ivan Milutinoviç, me Urdhër “Heroi Kombëtar”, Bllazho Jovanoviç, Miladin Popoviç, Dushan Mugosha, me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”. Me Urdhrin e “Yllit Partizan klasi i I “, Gjeneral-Lejtnant Arso Jovanoviç e Aleksander Rankoviç. E plotë figura të tjera serbe anti-shqiptare, këtë nuk e përmend pothuajse askush asnjëherë, madje as nuk tërhiqen këto dekorata, e fajin tonë e kërkojmë tek të tjerët. A mos vallë na paska detyruar Evropa t’i dekoronim? Ne jemi kontravers dhe armiq të vetes tonë. E di që faji është jetim, s’e pranon askush dhe si të tillë edhe s’e kërkoj të asnjëri se nuk e gjej dot.

Për mos ta huqë kursin e pararendësve të tij, Edi Rama po e vazhdon me dashuri lidhjen mbase edhe amanetin e pseudopatriotëve që në atë botë qeverisnin me shtetin amë. Për dallim nga gjeneralët e lartcekur Vuçiqi, miku i Ramës është edhe ish-ministër i Millosheviqit, njeriut që ushtroi gjenocid në Kosovë. Por ky sillet edhe si reformator dhe luan me maskën e demokratit.

Ky njeri mi kujton shoqëritë e Guines së Re kur te ata si sot para 9500 vjetësh, pasuria e tyre ishte e lidhur tradicionalisht me numrin e derrave që zotëronin. Për t’u siguruar se derrat nuk do të arratisen nga kopeja, fermerët ne Guinenë e Re ia prisnin çdo derri një copë të veshit. Dhe kështu kjo shkakton dhimbje të madhe çdo herë që ata nuhasin. Duke qenë se derrat nuk mund ta gjejnë ushqimin apo dhe thjesht të orientohen pa nuhatur, ky dëmtim i bënte ata tërësisht të varur nga pronarët e tyre humanë. Në një zonë tjetër e kishte zakon që derrave t’u nxirreshin sytë që ata të mos shikonin se ku po ecin dhe kështu fermerët ia dilnin t’i mbanin derrat afër vetës. Ky është standardi i reformatorit vetshpallur Vuçiq, i cili në shekullin e zbarkimeve në planetin Mars, ky kushtëzon e përdorë metoda të ndryshme presioni të deleguarve të tij në komunitetin pakicë serb në Kosovë para syve të Bashkimit Evropian. Sot, vartësit e Vuçiqit në Kosove janë të nënshtruar dhe ata i janë bashkangjitur fashizmit serb në dëm të së ardhmes së fëmijëve të tyre.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?