Op/Ed

Kjo kohë e sprovës së madhe

Shkruan: Fatmir Sejdiu

Pas luftës në Kosovë pasojat e së cilës ndihen me dhëmbje edhe sot, këto ditë po përjetohen si ditët më të vështira dhe më të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve të saj. Virusi Covid-19 shpejt arriti edhe në Kosovë. Sigurisht për aq sa mundet lypë “hakun” e vet.

E në këto ditë të vështira, në Kosovë, fatëkeqësisht vërehet mosuniteti politik dhe institucional i shprehur karshi këtyre sfidave kur edhe po rrezikohen jetërat e njërëzve.

Ashpërsia e gjuhës që po përdoret, shqetëson dhe tremb çdo njeri normal të këtij vendi.

Parësore në këtë situatë është urtia e të gjithëve dhe gjykimi i shëndoshë për hallet që kemi. Këtë e presin njerëzit e Kosovës, këtë e duan fëmijët e saj, për të cilët sot e njëzetëenjë vjet më parë u ngrit në këmbë e gjithë bota demokratike.

E sot, një gjë duhet ta dijmë: nuk jemi kërthiza e botës. Bota ka hallet e veta dhe nuk mund të sillet rreth nesh.

Është kjo kohë e sprovave të mëdha.

Para vetes kemi sfida edhe më shumë se kaq.

Uroj që kjo pranverë e nisur me kaq halle të marë bukurinë e saj!


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?