Op/Ed

Hapja e negociatave për integrim e Serbisë së udhëhequr nga Aleksandër Vuçiqi – Goebbelsi i Ballkanit, kompromisi më i madh i BE’së

Shkruan: Bardhyl Mahmuti

Është bërë praktikë e patjetërsueshme në Serbi që çdoherë kur dështojnë përpjekjet serbe për ta ndarë Kosovën, Aleksandër Vuçiqi del me deklaratë se “Serbia është gjithmonë e gatshme të negociojë për zgjidhje të ndryshme kompromisi me Kosovën, por duhet të jetë një kompromis – pa ultimatum”!

Të strukur nën strategjinë e mohimit të gjenocidit dhe shmangien e përgjegjësive konkrete në krimin e gjenocidit, ish-ministri i propagandës serbe në kohën e kryerjes së gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës, dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq – Goebbelsi i Ballkanit, harron se:

– Nuk ka kompromis më të madh politik sesa hapja e negociatave për integrim në Bashkimin Europian të një shteti që ka qenë i përfshirë në gjenocidet kundër popullit kroat dhe atij boshnjak dhe që ka kryer drejtpërdrejt gjenocid kundër popullit shqiptar në Kosovë;

– Nuk ka kompromis më të madh politik sesa hapja e negociatave në kohën kur Serbia udhëhiqet nga Aleksandër Vuçiqi, Ivica Daçiqi dhe pinjollët tjerë të Sllobodan Millosheviqit që ishin të përfshirë në krimin e gjenocidit në Kosovë;

– Nuk ka kompromis më të madh politik sesa vazhdimi i bisedimeve për integrim e Serbisë në vlerat euroatlantike, ndërkohë që ky shtet vazhdon të fshehë në territorin e vet varrezat masive me civilë shqiptarë;

Për të drejtën ndërkombëtare gjenocidi i kryer ndaj shqiptarëve nuk mund të ketë trajtim tjetër në krahasim me gjenocidet që janë kryer në të kaluarën. Prandaj, pa bashkëpunimin e plotë të Serbisë për ndriçimin e fatit të 1600 civilëve shqiptarë dhe nxjerrjes përpara përgjegjësisë të atyre që janë përgjegjës për vrasjen e 1392 fëmijëve, të 1739 grave dhe mijëra civilëve të tjerë të moshave të ndryshme si dhe zbatimin e dhunës seksuale ndaj mbi 20 000 grave shqiptare, BE-ja dhe ShBA-të duhet të ndërpresin të gjitha bisedimet që i hapin rrugën Serbisë për t’u integruar në institucionet e euroatlantike.