E martë, 26 Maj, 2020
Op/Ed

Dialogu udhëhiqet nga qeveria e re, e jo nga qeveria në dorëheqje!

Nga Fatmir Halili



Kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk kanë legjitimitet të udhëheqin me dialogun, legjitimiteti i saj ka përfunduar me votën e 83 deputetëve për shkarkim. Një kryeministër me një qeveri që ka humbur legjitimitetin me 2/3 e votave, një ditë e më parë duhet të largohet nga qeveria, e jo të projektoj dialog me serbinë.

Veq tjerash, duhet kujtuar se çfarë qasje kishte kryeministri në dorëheqje dhe partia e tij, kur qeveria e kaluar kishte projektuar ekipin negociator. Ajo qeveri nuk ishte në dorëheqje, ishte e zgjedhur me votat e kuvendit, por opozita e atëhershme, me kryeministrin e sotshëm në dorëheqje e quanin qeveri pa legjitimitet.

Sot, si mund të ftosh partitë që ishin në pushtet dhe nuk i përkrahe asnjëherë në çështjen e dialogut, e që uniteti politikë ka qenë dhe mbetet i domosdoshëm, përkundrazi, u trajtuan si tradhtar dhe përveç fyerjeve dhe sharjeve të pashembullta, u sulmuan edhe me vezë, gurë e molotov. Ku ka ngelë ndërgjegja politike, njerëzore e intelektuale në të cilën u thirrë deri më tani.

Për dialogun me serbinë, uniteti politikë ka qenë dhe është i domosdoshëm, por këtë unitet, nuk mund ta krijoj një qeveri në dorëheqje, e aq më pak një kryeministër që ka humbur besimin nga partneri qeverisës. Për më tepër, edhe gjetja e partnerëve të tjerë është e pamundur. Natyrisht, kjo është rrjedhojë e sjelljeve jo politike për pesëmbëdhjetë vite të partisë që doli e parë në zgjedhjet e 6 tetorit.



Për më keq, edhe sot e gjithë ditën, militantët partiak, dhe krahu politikë i qeverisë në dorëheqje në anën tjetër të kufirit, i quan edhe disa nga çlirimtarët, të cilët kanë dhënë edhe familjarë për këtë vend, tradhtar dhe bashkëpunëtor Ruso-Serbë.

Megjithatë, është njerëzore të pendohesh, dhe duhet qmuar sjelljet bashkëpunuese, për të larguar ‘vijat e kuqe’ dhe për të bashkëpunuar me të tjerët. Por, fillimisht duhet kërkuar falje të gjithë atyre që për vite me radhë i shajte, i fyjte, e i sulmove me vezë, me gurë e me molotov. E mbi të gjitha, profesorit të nderuar Isa Mustafa, duhet kërkuar falje sepse tu dha mundësinë të jeni në pushtet, dhe të udhëhiqeni me ekzekutivin e vendit, përkundër sharjeve të parreshtura që ka pasur në vazhdimësi, dhe vazhdon t’i ketë nga militantët pa tru.

Gjuhën e urrejtëjes, sharjet, fyerjet si dhe sulmet fizike, ndaj secilit që mendon ndryshe, janë servuar nga Ju dhe partia Juaj, i nderuar kryeministër në dorëheqje, dhe nga askush tjetër. Ajo çfarë shohim në rrjete sociale nga militantët tuaj, janë më shumë se gërditëse.



I nderuar kryeministër në dorëheqje, njerëzit tuaj të emruar në borde, a të kujtojnë fjalorin tuaj që keni përdorur për pesëmbëdhjetë vite për kapje të shtetit?!
Gjithashtu, kërko flaje që flamurin e shtetit e ke quajtur lara-lara, kërko falje që nuk je zgjuar në këmbë gjatë intonimit të hymnit shtetëror.

Ndryshoni qasjen, mos kërkoni bashkëpunim veq kur jeni në pushtet, duhet ofruar bashkëpunim edhe kur jeni në opozitë. Në qeverinë e ardhshme bëhuni pjesë e unitetit politikë, dhe jepni fund problemit me serbinë. Të vetëm nuk mund të zgjidhni problemin e dialogut me serbinë. Uroj të keni kuptuar se sistemi ynë zgjedhor kërkon bashkëpunim midis partive, e besoj që do të ndryshoni edhe qasjen ndaj partnerëve në qeverisje.