Demokracia e zhvilluar dhe drejtpeshimi politik

Shkruan: Flamur Shala
Pa krah s’fluturohet. Edhe zogjtë cicërojnë ca ditë e me kohë u rriten krahët, pak, sa për drejtpeshim.
Sa i natyrshëm e sa i duhur është drejtpeshimi! Është një nga dukuritë më të vjetra natyrore, që i ruan qeniet e gjalla dhe jo vetëm ato.
Njeriu as hapin nuk e qet pa të drejtpeshuarit e tij. Për të drejtpeshimi (marrëveshja, si një variant) fillon e bëhet shumëdimensional. Bëhet ruajtës i marrëdhënieve brenda shoqërisë.
Edhe në kriza të mëdha, në paqe e në demokraci të zhvilluar, shumëçka “i detyrohet” një drejtpeshimi funksional shoqëror e politik.
Drejtpeshimi politik është i lidhur ngushtë me demokracinë e zhvilluar. Kjo e fundit, demokracia funksionale, bëhet kushti, mekanizmi kryesor i të “mbajturit” të drejtpeshimit politik.
Demokracia ka natyrë dhe esencë politike. Është prodhim i saj. Qëllimi i demokracisë nuk është qëllim në vete. Duke qenë me rrënjë politike, qëllim ka drejtpeshimin politik.
Sa shumë demokraci na duhet që të ruajmë drejtpeshimin politik. Demokracia e zhvilluar ruan përherë këtë kërkesë në funksion të drejtpeshimit shoqëror.
Zgjedhjet politike, kurdo që mbahen, janë mjeti më demokratik për “rimëkëmbje” të ruajtësve të drejtpeshimit politik.