E mërkurë, 27 Maj, 2020
Op/Ed

Anatomia e militantit

Blerim Latifi

Shkruan: Blerim Latifi



Botëkuptimi i militantit është i thjeshtuar deri në maksimum. Ai e sheh botën me vetëm dy ngjyra : bardh e zi. Rendi moral i botës poashtu paraqitet i dyzuar në mendjen e tij. Ai është rendi i ndarë midis të mirës dhe të keqës, midis dritës dhe errësirës, të drejtës dhe të padrejtës. Partia e tij përfaqëson të mirën, ndërsa partia kundërshtare përfaqson të keqën. Me të njëjtën logjikë ai e shikon edhe popullin. Partia e tij është e popullit dhe për popullin ; ajo e kundërshtarit nuk vjen nga populli dhe është kundër popullit. Ky dualizëm i militantit përfshin edhe bindjet mbi liderin. Lideri i partisë së tij është më i miri, më i drejti dhe në instancë të fundit ai që nuk gabon kurrë, ndërkaq lideri i partisë kundërshtare përfaqëson antipodin, ai është i keq, i padrejtë dhe gjithmonë gabon.

Heidegger mendonte se për të gjetur kuptimin autentik të fjalëve duhet që të shkojmë tek rrënjët e tyre. Nëse duam të gjejmë kuptimin autentik të fjalës “militant”, ne duhet të ndjekim këtë këshillë të filozofit më të madh të shekullit XX. Nuk duhet shumë mund për të kuptuar se fjala “militant” origjinën e ka në fjalën latine “miles”, fjalë me të cilën shenjohej pjestari i armatosur i një grupi, e të cilin, rëndom, e quajmë ushtar.

Nga “miles” pastaj kanë derivuar fjalët “militare” dhe “milicia”. Termi “polici” është kompozitë e fjalëve “polis” dhe “miles”. “Polis” domethënë qytet dhe “miles” njeri i armatosur që kujdeset për rendin publik në qytet. Pra, militanti është dikush që mendon dhe vepron si ushtar. Shfaqja e tij në jetën politike ndodhë në kohën kur në Europën perëndimore u zgjeruan të drejtat politike të qytetarëve dhe ky zgjerim bëri të mundur transformimin e partive politike, nga klube të vogla opinionesh, në organizata masive, të cilat garonin në zgjedhje për të marrë pushtetin.

Organizatat masive politike nuk funksionojnë dot pa një rrjet aktivistësh dhe ky rrjet aktivistësh që të mbahet në këmbë është i nevojshëm indoktrinimi i tij me ideologjinë e organizatës. Kjo ideologji, rëndom, përmban një grumbull doktrinash që kanë për qëllim ta paraqesin interesin e organizatës si një interes të përgjithshëm të shoqërisë. Thënë me pak fjalë : Ideologjitë janë fetë e partive politike. Indoktrinimi është i nevojshëm sepse mercenarizmi i mbështetësve, duke pasur kosto të lartë financiare, nuk mund të mbahet për një kohë të gjatë.



Kësisoj, mungesa e parave kompensohet me shndërrimin e aktivistëve në ushtarë të bindur të organizatës, pra në militantë. Indoktrinimi fillon me aktin e marrjes nën kontroll të mendjes së individit. Pasi të bëhet kjo, individi i nënshtrohet një procedure të shpërlarjes së trurit, në përfundim të të cilës atij, në trurin e zbrazur nga “bindjet e vjetra”, i injektohen dogmat dhe besimet e organizatës. Kur kjo të arrihet, atëherë ai bëhet i gatshëm të dalë në fushën e betejes politike. Efektiviteti në betejë varet pastaj nga efektiviteti i procedurës së indoktrinimit.

Nëse indoktrinimi është i plotë, edhe militantizmi do të jetë i tillë. Indoktrinimi i plotë nënkupton gjëndjen në të cilën militanti vepron si një makinë e dirigjuar nga një komandë jashtë tij. Botëkuptimi i militantit është i thjeshtuar deri në maksimum. Ai e sheh botën me vetëm dy ngjyra : bardh e zi. Rendi moral i botës poashtu paraqitet i dyzuar në mendjen e tij. Ai është rendi i ndarë midis të mirës dhe të keqës, midis dritës dhe errësirës, të drejtës dhe të padrejtës. Partia e tij përfaqëson të mirën, ndërsa partia kundërshtare përfaqëson të keqën. Me të njëjtën logjikë ai e shikon edhe popullin. Partia e tij është e popullit dhe për popullin ; ajo e kundërshtarit nuk vjen nga populli dhe është kundër popullit.

Ky dualizëm i militantit përfshin edhe bindjet mbi liderin. Lideri i partisë së tij është më i miri, më i drejti dhe në instancë të fundit ai që nuk gabon kurrë, ndërkaq lideri i partisë kundërshtare përfaqëson antipodin, ai është i keq, i padrejtë dhe gjithmonë gabon. Të gjitha veprimet e militantit derivojnë nga ky dualizëm që e ndan botën në Ne dhe Ata. Ai selekton gjithçka që përputhet me besimin e tij partiak dhe mohon gjithçka që bie në kundërshtim me të. Secili që mendon dhe vepron ndryshe, kthehet në objekt të urrjejtjes së tij dhe, rrjedhimisht, edhe në objekt sulmi të militantizmit të tij. Militanti është armik i mendimit kritik.



Ai nuk beson se ka njerëz të cilët mendojnë në mënyrë kritike kundër partisë së tij, pa qenë në shërbim të partisë kundërshtare. Dualizmi i tij nuk ia lejon një gjë të tillë. Mendimi kritik, për militantin, është vetëm një formë e sofistikuar të cilën e përdor partia kundërshtare në luftën kundër partisë së tij. Për të nuk ka realitet politik jashtë rreshtimeve partiake. Kush qëndron në rreshtin e tij, është në rrugën e drejtë. Kush del jashtë rreshtit, është tradhtar. Nëse nuk je me të, je me kundërshtarin e tij.

Kjo strukturë psiko-politike e militantizmit nuk është e re. Atë e gjejmë qysh në kohët e vjetra. E gjejmë kudo ku njerëzit janë përpjekur ta ndajnë botën në Ne dhe Ata. Ungjilli sipas Mateut ia përshkruan Krishtit thënien “Kush nuk është me mua, është kundër meje”. Islami, që erdhi më vonë, e ndau botën në Dar Al Islam dhe Dar Al Harb. E para ishte bota e paqës islamike, e dyta ishte bota e luftës kundër të gjithë atyre që ende nuk ishin bërë muslimanë. Thënë me pak fjalë : Ose je me muslimanët ose kundër tyre!

Lenini, i cili e ngriti në kulminacion militantizmin komunist, u thoshte hapur pasuesve të tij : Secili ka dy zgjedhje, të bashkohet me ne, ose me anën tjetër ; përpjekja për të mos mbajtur anë, duhet dënuar! Për Leninin partishmëria ( partijnost) ishte parim suprem, të cilit duhej t’i subordinohej çdo sferë e veprimtarisë njerëzore. Sipas këtij parimi nuk ka shkencë objektive mbipartizane. Ka shkencë borgjeze dhe shkencë proletare. Nuk ka art për art (l’art pour l’art). Ka art borgjez dhe art proletar.

Musolini, që në fillim ishte socialist, i frymëzuar nga Lenini, partijnost-in e tij, e bëri parim të propagandës fashiste. Fjalimet e Musolinit fillonin e mbaronin me thënien : O con noi o contro di noi! Jeni me ne ose kundër nesh!

Këta dhe shumë e shumë shëmbuj të tjerë, që nuk po i përmendim këtu, na dëshmojnë se parimi klasik i militantizmit qëndron në themele të shumë lëvizjeve që bartin potencialin për t’u shndërruar në lëvizje totalitare.

Totalitarizmi fillon me reduktimin e pluralizmit në dualizëm: shumësia e pikëpamjeve politike reduktohet në dy pikëpamje anatagoniste, që nuk mund të koekzistojnë. Nëse sipërmarrja totalitare ka sukses në këtë reduktim, ajo vazhdon më tutje duke e reduktuar dualizmin në monizëm, do të thotë në një gjëndje ku lejohet vetëm një pikëpamje, vetëm një e vërtetë, vetëm një drejtësi, vetëm një parti dhe vetëm një Shef i Madh, një Fyhrer, një Duçe, një Sulltan, një Vozhd, një Ajatollah, që kujdeset për të Vërtetën e Vetme dhe Kauzën e Vetme të Drejtë.

Sot, kur bota po përballet me një valë të re të ngritjes së populizmit, ne mund të shohim ringjalljen e kësaj skeme totalitare, sepse ajo gjendet në zemër të përfytyrimit populist për botën. Siç thotë njëri nga studiuesit më të rëndësishëm të këtij populizmi të ri, Jan Werner Muller, sulmi i parë i populizmit është sulmi mbi pluralizmin liberal. Ky sulm bëhet në emër të ndarjes së botës në Ne dhe Ata, në Popullin e Mirë dhe Elitat e Këqija, ndarje përmes të cilës populistët synojnë t’i mobilizojnë njerëzit dhe të marrin pushtetin.

E sulmuar nga regjimet autoritariste të lindjes dhe rrymat populiste në ngritje brenda vetë Perëndimit, demokracia liberale sot ndodhet e kërcënuar si kurrë ndonjëherë më parë.

Duket se triumfi i saj në vitin 1989 ishte vetëm një betejë e fituar, por jo edhe “Përfundimi i Historisë Ideologjike të Njerëzimit”, siç e patën shpallur entuziastët liberalë në krye me Frencis Fukuyamën. Historia është rikthyer frikshëm për t’i vazhduar dramat e saj shekspiriane dhe militantët janë gati për t’i kthyer sheshet e botës në teatër të këtyre dramave. Për ta ndezur edhe njëherë flakë botën!