Op/Ed

A do t’i shtrenjtonte çmimet tërheqja nga Trusti – çfarë thonë ekonomistët

Ekonomistët në Kosovë nuk janë në ujdi nëse tërheqja e 30 për qind të Trustit Pensional do të ndikojë në rritjen e inflacionit në vend.

Nga: Sefer Zogaj

Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike (OEK), i ka thënë Gazetës Express të enjten se nëse këto mjete tërhiqen atëherë çmimet e produkteve esenciale do të shtrenjtohen.

Këtë pretendim ai e bazon me faktin që kur rritet qarkullimi i kapitalit në treg, shtohet edhe konsumi.

“Do të kemi eventualisht një rritje të konsumit dhe ngritjen e çmimeve që e kanë të gjitha produktet botërore, kjo më pas do të ndikojë në ngritjen e inflacionit dhe kjo do ta dobësojë vlerën e këtyre mjeteve”. Ka thënë Gërxhaliu.

Por krejt të kundërtën e beson profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës (UP), Mejdi Bektashi, i cili ka deklaruar për gazetën se inflacioni në Kosovë është faktor i jashtëm.

“Inflacioni që po ndodhë tani nuk është rezultat i parave të tepërta në treg, por është rezultat i ngritjes së çmimeve në tregun botëror”, ka thënë ai.

“Shumica e këtyre çmimeve që po shtrenjtohen janë të ngritura në tregje të huaja nga ne që i importojmë këto produkte”.

Beson se Kosova ka pasur një mungesë të qarkullimit të parasë gjatë fillimit të pandemisë COVID-19. Për këtë tërheqjen e trustit e konsideron si të dobishme për ekonominë.

“Jo të gjithë do t’i tërheqin 30 për qind të këtyre mjeteve. Mund të tërhiqen deri në 200 milionë euro”.

Sipas tij, një politikë e tillë i ndihmon bizneset dhe ia shton të hyrat buxhetit të shtetit.

E për Safet Gërxhaliun, kjo politikë e rrezikon ekonominë në planin afatgjatë. “Në rast se tërhiqen këto mjete, së paku të shikohet një mundësi që të rimbursohen, sepse s’bën ndryshe”, ka deklaruar ish-kryetari i OEK.

Projektligji për trustin

Projektligji ka ardhur si rezultat i iniciativës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Saktësisht, deputeti Bekim Haxhiu ka qenë këmbëngulës.

Ky projektligj nuk e parasheh tërheqjen e 30 për qind të trustit për të gjitha kategoritë shoqërore, pa dallim.

Kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kontribute pensionale do të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të kursimeve.

E ata që kanë deri në 20 mijë deri në 30 mijë euro, s’mund të marrin më shumë sesa 25 për qind të mjeteve të tyre. Ndërkaq, kategoria e pasur – që kanë mbi 30 mijë euro marrin 15 për qind të trustit.

Më pak do të kenë në dispozicion të tërheqin ata që në trust llogaritet t’i kenë mbi 40 mijë euro – vetëm 10 për qind tërheqja.

Kosova e ka praktikuar këtë politikë

Ka qenë viti 2020 kur vendi po përballej me krizë ekonomike shkak i masave izoluese të Qeverisë për shkak të rrezikut nga pandemia COVID-19. Për ta zbutur krizën, ekzekutivi që atëherë drejtohej nga Avdullah Hoti kishte vendosur që Trustin ta vë në dispozicion të qytetarëve – duke e lejuar tërheqjen e 10 për qind të mjeteve për të gjithë.

Mbi 427 mijë qytetarë e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë për t’i mundësuar ekonomisë qarkullimin e një kapitali prej 198 milionë eurosh.

Kjo politikë sipas Institutit GAP ka ndikuar 40 për qind në rritjen ekonomike të vitit 2021 që ishte me numra dyshifrore.

Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), norma vjetore e inflacionit, e llogaritur në muajin mars të vitit 2022, në krahasim me marsin e vitit 2021, ka qenë 10 për qind.

Pozita e opozita s’pajtohen për Trustin

Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, ka deklaruar më 26 maj në Kuvendin e Kosovës s’e tërheqja e mjeteve nga trusti s’i ndihmon klasës së varfër.

“Sa kanë trust familjet në asistencë sociale, zero, sa kanë trust studentët zero, sa kanë trust pensionistët zero, sa kanë trust ata që paguhen me pagë minimale, mundem me i pasë 100 euro, që 30% i bie 30 euro me këto masa po doni me i ndihmu këto familje”, tha Murati në fjalën e tij.

Madje, ka shtuar se kjo politikë vetëm çka do ta vështirësojë situatën me ngritjen e çmimeve për produktet ekzistenciale.

Opozita s’ka mbetur vetëm me deklarata, disa deputetë të Kuvendit të Kosovës në krye me Bekim Haxhiun iu bashkohen protestës së 24 majit të qytetarëve për t’i kërkuar Qeverisë lejimin e tërheqjes së trustit.

Deri më tani, partia në pushtet; Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërruar qëndrim. E konsiderojnë një precedent të rrezikshëm për ekonominë dhe shoqërinë në nivel afatgjatë. /Express