Lajme

Zhvillimet dramatike në Veri, Vuçiq i drejtohet serbëve!

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, iu drejtua publikut nga zyra e tij.

Vuçiq që në fillim ka pretenduar se “situata është shumë e ndërlikuar dhe e vështirë për popullin serb dhe se ashtu vazhdon të jetë me dekada”, transmeton gazeta serbe B92.

Ai thotë se “situata kurrë nuk ka qenë më komplekse se sot”, duke “harruar” ngjarjet e viteve të 1990-ta kur janë masakruar mbi 15.000 fëmijë, gra dhe pleq dhe janë dëbuar rreth 1 milionë shqiptarë nga vatrat e tyre nga regjimi ku ai vet ka qenë ministër i informatave (në fakt i propagandës së Millosheviqit).

“Regjimi i Prishtinës, duke u bërë viktimë, po përpiqet të përfitojë nga situata në botë dhe duke luajtur kartën “Putini i madh-Putini i vogël” dhe Kurti në rolin e Zelenskyt, për t’i imponuar diçka popullit tonë në veri të Kosovës. Ata kanë dërguar njësitet e tyre në “vendkalimet administrative” me qëllim që të ndalojnë të gjithë ata që kanë letërnjoftime serbe”, ka thënë ai, transmeton Paparaci.

Sipas fjalëve të tij, “ky aksion duhet të fillojë sonte në mesnatë dhe serbët të detyrohen të heqin dorë nga targat KM”.

“Ata kanë dërguar njësitet e tyre paraprakisht në “vendkalimet administrative” Jarinje dhe Bërnjak me dëshirë që të ndalojnë të gjithë ata që kanë letërnjoftime. E gjithë kjo duhet të fillojë sonte në mesnatë, me bindjen e serbëve që të heqin dorë nga targat KM. Disa do të thoshin se kjo nuk duhet të shkaktojë asnjë problem. Shqiptarët janë të bashkuar dhe i referohen marrëveshjes së nënshkruar nga Borko Stefanoviq dhe Edita Tahiri. Sikur nuk u mjafton të bëjnë atë që duan, sikur dikush me dashje do të provokojë tensione dhe probleme”, tha Vuçiq.

Ai ka pretenduar se është plotësisht e qartë se kjo “nuk guxon të vlejë për serbët e Kosovës” por se shqiptarët duan të përfitojnë nga situata dhe thonë se ky është “reciprocitet”.

“Sipas Kushtetutës së Serbisë, Kosova është pjesë e Serbisë, dhe ne nuk shkojmë atje çdo ditë me armë për ta rikthyer atë nën rendin kushtetues dhe juridik të Serbisë. Ne nuk duam konflikte dhe nuk duam luftë”, ka pretenduar Vuçiq.

Ai po ashtu ka theksuar se në vitin 2020, “Prishtina në mënyrë arbitrare i ka hequr targat KS”.

“Dhe çfarë do Prishtina sot? Prishtina sot dëshiron të thotë se nuk ka më targa KS sepse nuk i intereson as UNMIK-u as EULEX-i dhe nuk do të lejojnë targa KM ashtu që askush të mos mendojë se ka mbeturina të ndonjë shteti tjetër në territorin e shtetit të rremë të Kosovës”, ka pretenduar Vuçiq.

Ai ka shtuar se shqiptarët po përpiqen t’ua imponojnë serbëve vullnetin e tyre.