Lajme

Zgjedhjet lokale, merret një vendim i rëndësishëm

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve do të zgjasë pesë ditë, raporton Express

Elezi tha se fushata do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor.

“Fushata zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët që do të garojnë në raundin e dytë, do të jetë 5 ditore, do të fillojë më 8 nëntor dhe do të përfundojë më 12 nëntor”, ka deklaruar Elezi.

Ai tha se për votuesit e regjistruar suksesshëm nga jashtë Kosovës, gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht, KQZ-ja ka vendosur 15 ditë në dispozicion të tyre për të votuar përmes postës.

“Ky votim fillon më 29 tetor. Deri para kësaj date, KQZ-ja planifikon të miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve, për ta bërë të mundur fillimin e votimit jashtë vendit. Fletëvotimet duhet të pranohen nga KQZ-ja më së largu më 12 nëntor”, ka deklaruar Elezi.

“Sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve të këtij raundi, KQZ-ja ka vendosur që subjektet politike garuese, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare, misionet diplomatike dhe mediat të konfirmojnë listat me vëzhguesit që duan t’i angazhojnë sërish, si dhe të aplikojnë për vëzhgues shtesë. Aplikimi për akreditim të vëzhguesve shtesë të subjekteve politike, OJQ-ve, vëzhguesve ndërkombëtar dhe mediave, fillon më 28 tetor dhe përfundon më 8 nëntor”, tha Elezi.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?