Lajme

Zemaj pasi ia dorëzoi detyrën Vitisë: Puna e madhe e bërë deri më sot do të jetë më e lehtë të vazhdohet

Armend Zemaj është larguar nga Ministria e Shëndetësisë duke lavdëruar punën e tij si ministër.

Sipas tij, “puna e madhe e bërë deri më sot, do të jetë më e lehtë të vazhdohet” nga pasuesi.

Përmes një postimi në Facebook, Zemaj ka thënë se në kohën sa ka udhëhequr MSH-në pandemia e COVID-19 ka qenë sfida më e madhe.

“Të arriturat e shëndetësisë tonë janë të prekshme në çdo nivel të përkujdesjes. Përkundër pandemisë, kemi ngritur shërbimet e reja të përkujdesjes shëndetësore, është ngritur cilësia dhe sasia e shërbimeve shëndetësore, për çka jam krenar sikur me shumë angazhime tjera”, ka thënë ai pasi ia dorëzoi detyrën ministrit të ri, Arben Vitia.

Zemaj është krenuar që është rritur numri i testimeve për COVID-19 në mbi 5000 në baza ditore, një vit pasi në Kosovë u regjistruan rastet e para me koronavirus.

S’ka përmendur fare faktin që Kosova është ndër pak vende në botë ku s’ka nisur vaksinimi.

Ka thënë se nën udhëheqjen e tij, janë krijuar ambiente dhe kushte për profesionistët shëndetësorë të cilat kanë munguar më herët.

Është mburrur edhe për punësimin e specializantëve, e për thellim të bashkëpunimit me institucione të tjera.

“Suksesi në shëndetësi është sukses i shtetit dhe i qytetarëve, i cili fillimisht vjen gatishmëria, sakrifica dhe puna e personelit shëndetësor, ku me plot të drejtë sot quhen heronjtë e ditëve tona. Përherë mirënjohës, falënderues dhe i përulur ndaj të gjithë atyre që kontribuan në çfarëdo forme për shëndetësinë e vendit. Në çfarëdo cilësie e në çdo kohë, me gjithë shpirt, dije dhe eksperiencë, do të mbetem shërbëtor i të mirës së shëndetësisë tonë, ngaqë shëndeti i mirë i qytetarëve tanë është i pari, krejt të të tjerat vijnë më pas”, ka shkruar ai.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?