Lajme

Zemaj paralajmëron reciprocitet ndaj Maqedonisë: E padrejtë të kërkohet testi për të kaluar kufirin

Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar reciprocitet ndaj Maqedonisë së Veriut, shkruan Gazeta Metro.

Zemaj po paralajmëron reciprocitet ndaj Maqedonisë së Veriut nëse vendos që personave që kalojnë kufirin nga Kosova për të hyrë në Maqedoni t’i kërkohet testi për COVID-19.

Maqedonia e Veriut ka bërë një propozim-vendim që të kërkohet testi negativ për Covid-19 për qytetarët që kalojnë kufirin nga Kosova për në territorin e tyre.

“Nuk isha në dijeni që po shqyrtohet kjo çështje nga pala tjetër. E padrejtë të na kërkohet testi nga Maqedonia e Veriut”, thotë ai.

“Ne lëshuam lëvizjen e lirë për shtetet e rajonit. Maqedonia ka më shumë raste me ne por nuk kufizuam lëvizjen pasi edhe atje jetojnë një pjesë e madhe e shqiptarëve. Ne kishim një numër të madh të qytetarëve që shkuan në Shqipëri gjatë vikendeve. Atje disa qytetarë humbën jetën. Por kontrolli ishte i vështirë në pikat kufitare.”

“Do të shikojmë mundësinë që të vendosim reciprocitet.”, shton ai në Pressing të T7.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?