Lajme

Zemaj: Më 17 mars del kontingjenti i vaksinave i prodhuar për Kosovën, transporti çështje ditësh

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka komentuar thirrjen për vaksinimin e mjekëve nga Kosova të kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Zemaj në emisionin Info Magazinë në Klan Kosova tha se kjo thirrje është bërë nga shteti shqiptar në formën humanitare.

Ai theksoi se sipas konfirmimin zyrtar nga ana e homologes së tij shqiptare Ogerta Manastirliu, janë 50 vaksina për profesionistët shëndetësorë kosovarë.

“Jo nuk ka shkresë zyrtare. Ne kemi qenë dhe jemi në komunikim të vazhdueshëm me homologët tanë, me ministrat e Shëndetësisë së rajonit, në këtë aspekt edhe ministrin e Shëndetësisë së Shqipërisë”.

“Ka dy-tri ditë që na janë adresuar me një kërkesë humanitare që ne mund t’i dërgojmë në Kukës për vaksinim disa mjekë apo profesionistë shëndetësor që janë në përballje direkt me pandeminë COVID-19. Sigurisht që në aspektin humanitar ne e çmojmë. Tani është ofruar edhe data e ardhjes së vaksinave. Unë i shpreh falënderime e mia”.

“Unë si ministër i jam drejtuar Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar që ta bëjnë një listë të mjekëve që duan të shkojnë të vaksinohen. Vaksinat e ofruara janë diku për 50 persona”.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë shtoi se vaksinimi i popullatës së Kosovë bëhet sipas prioriteteve, por se ky proces mbetet vullnetar.

“Ne i kemi prioritetet. Edhe në Kosovë vaksinimi është në bazë të prioriteteve por në aspektin vullnetar. Pra, vaksinimi nuk është i detyrueshëm. Popullata prioritare pikë së pari janë punëtorët shëndetësorë, punëtorët social dhe popullata që është e njohur me sëmundje kronike”.

Zemaj foli poashtu edhe për arritjen kontingjentit të parë të vaksinave në Kosovë.

Ai tha se nesër do të fillojnë përgatitjet për Qendrën e Vaksinimit e cila do të jetë në sallën “1 tetori”.

“Ne nesër do t’i fillojmë përgatitjen e Qendrës së Vaksinimit, që do të jetë salla “1 tetori”. Të shohim, ju kemi afruar datës për ardhjen e kontigjentit të parë të vaksinave”.

“Më datën 17 del kontingjenti i prodhuar për Kosovën. Është më pas çështje ditësh, transporti dhe gjithçka do të jetë e gatshme për arritjen e 33 mijë e 600 dozave të para, do të vijnë edhe 66 mijë e 900 të tjerat”, ka thënë Zemaj.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?