Lajme

Zemaj apel për qytetarët: Mos na impononi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, kërkoi sot nga qytetarët që të respektojnë masat kundër Koronavirust dhe të mos e imponojnë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

“Secili sytë te Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria. Ju po harroni se s’po vendosni maskën. S’po respektoni rregullat antivirus. S’mund t’ju vëmë secilit nga ju nga një polic mbrapa që të disiplinoheni. Si shoqëri, qytetarë, familjarë, individë, ti je përgjegjës të mos e çon virusin në shtëpi. Mos na impononi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Më dhemb shpirti ta shoh Kosovën e mbyllur”, u shpreh Zemaj në Facebook.

Ai tha se virusi rëndon gjendjen e popullatës, rrezikon shëndetin, shqetëson secilin, çrregullon ekonominë dhe çmimet e ushqimeve, humbje të vendeve të punës, rrit varfërinë.

“Rrit krimin (shton vjedhjen, dëmton rendin publik). Hileqarët e shfrytëzojnë për grumbullime njerëzish në rrugë ku shtohen infeksionet. Rrit kërkesën për ndihma sociale, vë në pikëpyetje hapjen e kufijve, hapjen e shkollave që funksionojnë edhe gjatë kësaj kohe. Mund të rris pakënaqësinë e secilit.Mos na impononi vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme. Nuk jemi qeveri represive, por shtet demokratik. Më dhemb shpirti ta shoh Kosovën e mbyllur. Vendos maskën! Mbaje higjienën! Respekto rregullat! Mos u Shliro edhe ti je përgjegjës!”, përfundoi Zemaj.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti njoftoi sot se Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve.


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19