Zelenskyy: Rusët do t’i ndjekim deri në kufi
“Ky proces nuk do të jetë shumë i shpejtë”, tha Oleksiy Arestovych, këshilltar i kreut të Zyrës së presidentit të Ukrainës, në një deklaratë të postuar në Telegram, “por do të përfundojë me vendosjen e flamurit ukrainas mbi të gjithë vendbanimet e Ukrainës”. “Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë thyer vijën e frontit në disa sektorë”, tha Arestovych në një video-intervistë të postuar në YouTube.
Teksa Ukraina po përshkallëzon ofensivën për të rimarrë territorin e pushtuar nga Rusia në jug të vendit, forcat e saj kanë rifituar katër fshatra dhe kanë thyer mbrojtjen ruse në pika të shumta të vijës së frontit në rajonin Kherson, kanë thënë zyrtarë ukrainas.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, lëshoi gjithashtu një paralajmërim për forcat ruse gjatë fjalimit të mbrëmjes, duke thënë se ishte koha që ata të “iknin, të shkonin në shtëpi” dhe se “pushtuesit duhet ta dinë se ne do t’i ndjekim deri në kufi”.
Megjithatë, një nga këshilltarët e tij paralajmëroi se operacioni do të jetë i ngadalshëm dhe se do ta “gërryejë armikun”.
Rusët thyhen në disa pjesë
“Ky proces nuk do të jetë shumë i shpejtë”, tha Oleksiy Arestovych, këshilltar i kreut të Zyrës së presidentit të Ukrainës, në një deklaratë të postuar në Telegram, “por do të përfundojë me vendosjen e flamurit ukrainas mbi të gjithë vendbanimet e Ukrainës”.
“Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë thyer vijën e frontit në disa sektorë”, tha Arestovych në një video-intervistë të postuar në YouTube, duke shtuar se forcat ukrainase po bombardonin pikat e kalimit të trageteve që Moska po përdor për ta rifurnizuar territorin e pushtuar nga Rusia mbi lumin Dnjepër në rajonin Kherson.
“Ne shtypim përpjekjet e tyre për të furnizuar grupet e tyre në bregun perëndimor të Dnjeprit”, tha ai. “Ne godasim rezervat, duke përfshirë rezervat që janë në bregun lindor dhe që po përpiqen të kalojnë”.
Më herët, një burim ushtarak ukrainas i tha televizionit CNN se trupat ukrainase kishin marrë katër fshatra – Novodmytrivka, Arkhanhel’s’ke, Tomyna Balka dhe Pravdyne – duke u kthyer nga pushtimi rus. Objektivi kryesor ishte qyteti i Khersonit.
“Operacioni filloi natën me granatime masive të pozicioneve ruse dhe vijave të pasme”, tha për CNN burimi, i cili nuk përmendet për arsye sigurie.
Ministria ruse e Mbrojtjes e pranoi operacionin e Kievit, por pretendoi se trupat ukrainase kishin “pësuar humbje të mëdha” dhe “dështuan keq” në ofensivën e tyre “të tentuar”. Televizioni CNN nuk ka qenë në gjendje t’i verifikojë pretendimet ruse dhe ukrainase.
Khersoni, pikë strategjike
Rajoni Kherson, vendimtar për kontrollin e bregdetit jugor të Ukrainës dhe hyrjen në Detin e Zi, ishte një nga zonat e para që u pushtua nga forcat ruse kur sulmuan më shumë se gjashtë muaj më parë.
Në javët e fundit, forcat ukrainase kanë bërë përparime rreth Khersonit, duke përfshirë shënjestrimin e urave kritike për t’i ndërprerë rrugët ruse të furnizimit.
Në konferencë për media, Natalia Humeniuk, zëdhënëse e Komandës Operative Jugore të Ushtrisë ukrainase, tha se dëmtimi i urave përtej lumit Dnjepër do të thotë se forcat ruse nuk janë në gjendje t’i ndihmojnë njësitë në vijat e frontit më në veri.
“Tani rusët nuk kanë aftësinë e transportit për të tërhequr rezerva nga bregu i majtë. Prandaj, ata krijojnë iluzionin e tërheqjes së rezervave duke lëvizur njësitë ushtarake midis vendbanimeve … Të gjitha urat i kemi kthyer në të pakalueshme”, tha ajo. “Ata mund të vazhdojnë të përpiqen të ngrenë një kalim të improvizuar, por e gjithë zona ku mund të vendoset është gjithashtu nën kontrollin tonë të zjarrit dhe do të goditet”.
“Pasojat e tmerrshme”
Forcat ukrainase nisën gjithashtu një sulm në qytetin Nova Kakhovka, të kontrolluar nga Rusia, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ujë, sipas medias shtetërore ruse, RIA Novosti, e cila citoi një autoritet lokal të emëruar nga Rusia.
RIA citoi kreun e administratës civile-ushtarake në qytet, Vladimir Leontyev, të ketë thënë se pasojat e sulmit “ndoshta do të jenë të tmerrshme”.
“Nuk mund të largohesh tani. Pati shumë granatime, diçka shpërtheu. Pati goditje në qytet dhe pranë hidrocentralit. Ne mund ta shohim zjarrin në të dy vendet”, shtoi Leontyev.
Kundërofensiva vjen pasi një delegacion prej 14 ekspertësh ndërkombëtarë nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) mbërriti në Kiev përpara një vizite të planifikuar në termocentralin bërthamor, Zaporizhia, të mbajtur nga Rusia në Ukrainën jugore më vonë këtë javë.
Centrali bërthamor, i cili është më i madhi në Evropë, ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi. Përleshjet rreth kompleksit kanë ngjallur shqetësime të përhapura dhe frikë për një fatkeqësi.
Kievi ka akuzuar vazhdimisht forcat ruse për ruajtjen e armatimit të rëndë brenda kompleksit dhe përdorimin e tyre si mbulesë për të nisur sulmet, duke e ditur se Ukraina nuk mund t’i përgjigjet zjarrit pa rrezikuar të godasë një nga gjashtë reaktorët e uzinës. Rusia ka pohuar se ata nuk kanë ndonjë “armë të rëndë” në termocentralin bërthamor.
Akuzat e kundërakuzat për sulmet afër centralit bërthamor
Imazhet satelitore nga “Maxar Technologies” treguan katër vrima në çatinë e ndërtesës së uzinës, pranë të paktën tre transportuesve të blinduar rusë të personelit.
Në imazhet satelitore, të paktën tre transportues të blinduar të personelit rusë shihen të ulur nën një strukturë të madhe me tuba, të cilët ushqehen nga ndërtesa në të gjashtë reaktorët bërthamorë.
Udhëheqësi i emëruar nga Rusia për rajonin e Zaporizhzhia, Vladimir Rogov, pohoi se vrimat ishin rezultat i një sulmi ushtarak ukrainas në kompleks.
CNN ka gjetur lokacionin dhe konfirmuar vërtetësinë e fotove, por jo pretendimet se vrimat ishin rezultat i një sulmi ushtarak ukrainas.
Ukraina dhe Rusia vazhduan të fajësojnë njëra-tjetrën, të martën, për bombardimin e zonës përreth uzinës. Televizioni CNN nuk është në gjendje të verifikojë se kush është përgjegjës.
Autoritetet ruse, të cilat tani kontrollojnë uzinën dhe qytetin aty pranë, Enerhodar, raportuan sulme artilerie, të martën herët në mëngjes, pranë një ndërtese magazinimi të karburantit të konsumuar.
Kievi fajësoi Moskën për sulmin. Rusia “po bombardon qëllimisht korridoret për misionin e IAEA-s për të arritur ZNPP (centralin bërthamor të Zaporizhia)”, pretendoi Mykhailo Podolyak, këshilltar i shefit të Zyrës së Zelenskyyt në një postim në Twitter, që përsëriste kërkesat ukrainase për tërheqjen e trupave ruse.