Lajme

Xhafer Tahiri: Është lajm i mirë që LDK’ja do të udhëheqë me Qeverinë e Kosovës

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka thënë se është lajm i mirë që LDK-ja do të udhëheq me qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Sipas tij vendi do t’i kthehet normalitetit dhe ballafaqimit real me problemet e mëdha.

“Besoj do të jetë lajm i mirë për Kosovën, do t’i kthehemi normalitetit dhe ballafaqimit real me problemet e mëdha që i kemi si shoqëri dhe si komuna. Jam i bindur se qeveria që do të vijë do të ketë plan konkret dhe tashmë e ka atë plan për masat që duhet të ketë prioritet qeveria e re. Fokusi duhet të jetë rimëkëmbja ekonomike”, ka thënë Tahiri në Interaktiv.

Ai është në krye të një koalicioni të gjerë në Vushtrri.

“Në Vushtrri kemi koalicion me Vetëvendosjen, që po funksionon, por edhe me AAK, AKR, Nisma e PD. Është koalicion i madh që na ka ndihmuar që të kemi shumë suksese dhe ndryshime pozitive. Duhet të vazhdoj në interes të qytetarëve të Vushtrrisë. Falë tij kemi solidaritet shumë të madh”.

Ai beson se koalicioni do të vazhdojë me Vetëvendosjen në nivel komunal, ndërsa thekson se kjo parti nuk ka arsye të dal nga koalicioni.