Lajme

Vullnetarët në vijën e parë të frontit

“Kur kanë filluar ditët e nxehta dhe ishim të veshura me rroba mbrojtëse kundër koronavirusit, djersët na pikonin dhe na hynin në gojë, dhe nuk guxonim as ta lëvizim maskën, për shkak se rreziku është i madh, dhe rrobat mbrojtëse janë të kontaminuara. Pastaj syzet mbrojtëse na mjegulloheshin dhe detyroheshim të afrohemi shumë te monitori për të parë se çka po punon brenda dhomës së pacientit”.

Ky është rrëfimi i mjekes së përgjithshme Jehona Krasniqi dhënë për Radion Evropa e Lirë, e cila që nga prilli punon si vullnetare në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare, krahas punës që e bën me gjysmë orari si administratore e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës.

Kur në muajin mars u raportuan rastet e para me koronavirus, në Klinikën Infektive u paaqitën vullnetarë për ta ndihmuar stafin mjekësor – dhjetë mjekë, gjashtë infermierë dhe një psikolog.

Ajo që e ka shtyrë doktoreshën Jehona, 30-vjeçare, që të punojë vullnetarisht, është ndjenja e përgjegjësisë dhe detyrës, si dhe Betimi i Hipokratit.

“Kemi nisur punën me sistemimin e të dhënave klinike të pacientëve, pasi është e nevojshme të dimë se me çka kemi të bëjmë. Më pas kemi filluar të futemi në vizita te pacientët me COVID-19, sigurisht nën mbikëqyrjen e specialistëve infektologë dhe jemi paraqitur vullnetarë që të ndihmojmë. Më pas jemi futur edhe në pranim për ta lehtësuar barrën e punëve që e kanë pasur dhe po vazhdojnë ta kenë infektologët”, rrëfen doktoresha Jehona.

Doktoresha Jehona flet edhe për sfidat që po ballafaqohet gjatë kësaj kohe të pandemisë, pasi për muaj me radhë, ajo po vazhdon të punojë me orar të plotë të punës, e edhe të stërzgjatur, pra nga ora 8:00 deri në 17:00 e më tej.

“Sfida ime e parë ka qenë veshja speciale mbrojtëse gjatë vizitës te pacientët. Pasi kam dalë nga vizita, herën e parë, e kam lajmëruar familjen se ka qenë edhe kontakti i parë me pacientët e infektuar. Pas një kohe, filluam të mësohemi me këtë ide që unë jam në kontakt me pacientët. E pranoi këtë fakt edhe familja, ndonëse frika ekzistonte dhe unë kthehesha në shtëpi tek ata. Për të punuar me rroba speciale mbrojtëse mund të them se është sfida më e madhe. Kur kanë filluar ditët e nxehta, kemi diskutuar me kolegë se si ta fusim një kamerë brenda, të na shohin se si po punojmë”, tregon doktoresha Jehona Krasniqi.

Shkrimin e plotë e lexoni në REL


SHIKO EDHE: 7 SIMPTOMAT QË JU TREGOJNË NËSE KENI COVID-19