Lajme

Vuçiq i quan përralla kërkesat e Kurtit për reciprocitet dhe reparacione: Më urreni sepse jam më i forti 

Vuçiç i ka cilësuar “përralla” deklaratat e Albin Kurtit mbi reciprocitetin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi si edhe dhënien e reparacioneve të luftës ndaj Kosovës.

Deklaratat e presidentit serb u bënë në intervistën dhënë gazetarit të ABC News, Idro Seferi.

“Nuk e di për çfarë masash reciprocieteti flet (Kurti sh.r), flisni ju për dëmet e luftës, përralla të zbrazëta për përdorim të brendshëm dhe për popullin, nuk mund ti dëgjoj dhe nuk mund ti komentoj. Nuk kam problem të komentoj çdo lloj pyetje, por nuk është Albin Kurti Hegeli që ta komentojmë kaq shumë“, tha Vuçiç.

Ndër të tjera, Vuçiç theksoi se shqiptarët shohin me urrejtje këdo që është i fuqishëm në Serbi, ndërsa serbët urrejnë këdo që përpiqet të bëjë marrëveshje me shqiptarët.

“Shumë eksplicit dhe këtë e them dhe sot. Siç e shihni unë nuk i frikësohem fakteve, por atyre të prishurve dhe mashtruesve. Se përse unë jam parë në mesin e shqiptarëve si një nga armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve edhe pse ofroj kompromis, një kompromis të vërtetë. Sigurisht që secilin që është i fuqishëm në Serbi e përjetojnë si kundërshtar dhe besoj se kjo është arsyeja.

Në fund të fundit s’është me rëndësi. Unë nuk nga ajo që gjërat nuk duken ashtu siç duan të dëgjojnë as serbët as shqiptarët. Të dyja palët i kanë veshët shumë të ndjeshëm që ta dëgjojnë të vërtetën, por mua nuk më bëhet vonë. Unë e flas të vërtetën dhe le të hidhërohen edhe njëra edhe pala tjetër. Dhe, nuk brengosem pasi në fund të fundit e di që të gjithë ata që më sulmojnë çdo ditë, ti Idro ke qenë këtu dhe mund ta pohosh apo mohosh, që kanë rrethuar presidencën dhe unë kam qenë këtu dhe nuk kam ikur, nuk largohem sepse kam ndërgjegjen e pastër. Luftoj për Serbinë, por ua them njerëzve të vërtetën“, u shpreh ai.

“Gjithçka është mbi ne. E ardhmja jonë dhe marrëdhëniet tona na ngelen ne. Unë mendoj se nëse serbët dhe shqiptarët i rregullojnë marrëdhëniet, një herë e përgjithmonë si dy popujt më të mëdhënj në Ballkan, mendoj se 150 vjetët e ardhshme nuk do të kemi asnjë lloj problemi. Mund të përparojnë në aspektin ekonomik më së shpejti. Nëse këtë nuk e bëjmë rrezikojmë të na ngelen territore të zbrazëta. Ajo që ne sot jemi më shumë se sa ju, nuk do të thotë asgjë. Të gjithë njerëzit tuaj do të shkojnë në Zvicër, Nju Jork, të gjithë tanët do të shkojnë në Austri, Gjermani dhe nuk e di se ku. Njerëz të tjerë do të banojnë në territoret tona në të ardhmen“, vijoi ai.