Lajme

Vuçiq e quajti Vetëvendosjen shoveniste e fashiste – I përgjigjet Glauk Konjufca

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, i është përgjigjur reagimeve të autoriteteve në Serbi, pasi Lista Srpska nuk arriti të certifikohej për zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës.



Abstenimi i dy anëtarëve të VV-së në Komisionin Qendror Zgjedhor e pamundësoi certifikimin e Listës Srpska në komunat, ku kjo parti ka përkrahje masive.

Konjufca thotë se për të qenë pjesë e politikës institucionale duhet të ndryshojë rrënjësisht qëndrimet për kombin shqiptar dhe për Republikën e Kosovës.

Për të qenë pjesë e politikës institucionale në Kosovë Lista Serbe duhet t’i ndryshojë rrënjësisht qëndrimet e saj kundër Republikës së Kosovës dhe kombit shqiptar. Përfaqësuesit e tyre duhet të mësohen me faktin objektiv që Kosova është shtet i pavarur dhe që ata të cilët jetojnë në të duhet ta avancojnë këtë shtetësi, e jo ta rrënojnë atë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, e quajti Vetëvendosjen shoviniste dhe fashiste, ndërsa Konjufca thotë se shefat e Listës Srpska që e mohojnë gjenocidin në Kosovë janë të tillë.


“Ata dhe shefat e tyre në Beograd që e mohojnë gjenocidin në Kosovë dhe vazhdojnë ta kolonizojnë Kosovën me projekte si ‘Kodra e Diellit’ në pjesën e veriut te Mitrovicës – janë të vetmit që e meritojnë mbiemrin ‘fashist’ e ‘shovinist’”, ka shkruar Konjufca.

Shefi i GP të VV-së thotë se pushteti në Serbi nuk dëshiron të ketë fqinjësi të mirë, duke përmendur linçimin që u bëhet serbëve të Kosovës që nuk janë në linjë me Vuçiqin dhe e njohin Kosovën shtet.

“Populli i Kosovës dëshiron paqe, zhvillim dhe fqinjësi të mirë me të gjithë. Por pushtetarët serbë në Beograd dhe krijesat e tyre në Kosovë nuk e ndajnë të njëjtin vizion. Ata madje shajnë dhe kërcënojnë politikanët serbë të Kosovës që e njohin Kosovën. Përpjekja e tyre është që të hegjemonizojnë çdo serb të Kosovës, dhe kushdo që nuk pajtohet me linjën e Vuçiqit, e denoncojnë si tradhtar. Prandaj trysnia duhet të shkojë mbi qeveritarët serbë e jo mbi shtetin dhe popullin tonë i cili nuk do gjë tjetër përpos që të jetojë në paqe me të tjerët, rehat me veten, dhe ku sundon drejtësia e i hapet rrugë zhvillimit”, ka shkruar Konjufca në Facebook.