Vrasja e gruas shtatzënë, deputetja e PDK-së: Dënimi me vdekje i vetmi shpëtim
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar për rastin e vrasjes së gruas në oborrin e QKUK-së. Musliu-Shoshi ka kërkuar që të ketë dënim me vdekje për vrasësit e grave. Ajo ka shkruar se dhuna ndaj grave në Kosovë tashmë është bërë rutinë dhe e vetmja rrugë që kjo të ndalet është dënimi me vdekje.
Postimi i saj i plotë:
Dënimi me vdekje mund të jetë i vetmi shpëtim!
Edhe pse nuk gjen përkrahje në BE, me eskalimin e dhunës tanimë në baza javore, situata aktuale është alarmante, andaj kërkon veprim konkret dhe efikas.
Dhuna ndaj gruas e vrasja e tyre, në shoqërinë tonë është bërë rutinë. Para disa ditësh u coptua një grua me sëpatë e sot u vra një grua shtatzënë në QKUK! Ne reagojmë me statuse, e dhunuesit e vrasësit lirohen me procedurë të shpejtë! Deri kur kështu?!
Si grua e nënë që posa kam kaluar në procesin e shtatëzanisë e lindjes, e kujtoj shumë qartë dhimbjen që ndjen në çdo asht e qelizë të trupit, netët pa gjumë, çrregullimet emocionale, dashurinë e frikën nga ajo se çka do të ndodhë me ty e foshnjën… dhe prap vazhdon të zgjohesh në mengjes, punon e trajtohesh thua se asgjë nuk po ndodhë.
E pabesueshme e e paimagjinueshme se si një monstrum mundet të kryej krim mbi një trup e dy jetë!
Kërkoj nga organet e rendit dhe ligjit dënim maksimal për këtë krijesë, që vetëm njeri nuk mund të jetë!