Lajme

Vjosa Osmani renditet në mesin e grave lidere që menaxhuan suksesshëm pandeminë

Në mbarë botën gratë lidere po shkëlqejnë derisa pandemia COVID-19 po përshkallëzohet. Nga Gjermania në Zelandën e Re dhe nga Danimarka në Islandë, gratë udhëheqëse kanë treguar qartësi në vendimet dhe në politikat e tyre, janë treguar të mëshirshme, të ndejshme, komunikuese, të forta dhe kanë shfaqur solidaritet.

Vjosa Osmani, kryetarja e parë grua e Kuvendit të Kosovë, është vlerësuar për profesionalizmin e saj për drejtimin e Kuvendit gjatë krizës.

“UNWomen”-i ka realizuar një intervistë të shkurtër me Osmanin për të diskutuar mbi rolin e grave udhëheqëse në vend dhe në mbarë botën.

Pse është e rëndësishme të rritet numri i grave udhëheqëse dhe të ketë gra përfaqësuese në mjedisin politik të Kosovës?

Kur femrat marrin pjesë në qarqe të niveleve të larta politike dhe shtetërore, ato kontribuojnë në politika më të ekuilibruara, të ndjeshme ndaj gjinisë, me vëmendje ndaj mjedisit dhe me perspektivë për të ardhmen. Vetëm përmes një qasjeje të këtillë të politikëbërjes mund t’i arrijmë synimet për zhvillim të qëndrueshëm dhe ta bëjmë këtë një #DecadeOfAction të vërtetë dhe një #GenerationEquality.

Çfarë do të thotë të jesh një grua në një pozicion udhëheqës gjatë pandemisë COVID-19?

Gratë lidere në të gjithë botën kanë treguar menaxhim të suksesshëm të pandemisë. Ato kanë qenë të afta të bashkojnë publikun dhe t’i bëjnë njerëzit të interesuar për rëndësinë e ndryshimit të sjelljeve të tyre të përditshme për të ndihmuar në përhapjen e virusit dhe në rrafshimin e lakores. Edhe pse barra e pandemisë bie rëndë mbi të gjithë, janë disa raste të cilat kërkojnë qasje specifike gjinore, si: garantimi i lindjes së sigurt të fëmijëve dhe kontrollimi i vdekshmërisë së nënave, ndikimi i mbylljes së shkollave te gratë si kujdestare primare dhe lidhjen e saj me aktivitetet në vendet e punës. Në cilësinë time si kryetare e Kuvendit unë jam duke punuar për një qasje të vazhdueshme të ndjeshme ndaj gjinisë, në mënyrë që grave t’i jepet një trajtim i qëndrueshëm dhe afatgjatë i barabartë.

Si kryetare e Kuvendit, si jeni përpjekur për të mbrojtur të drejtat e grave dhe për të zbutur ndikimin joproporcional të pandemisë?

Gjatë pandemisë gratë në Kosovë kanë qenë të ekspozuara ndaj rreziqeve serioze sociale dhe niveleve të larta të cenushmërisë, siç dëshmohet nga rritja e rasteve të dhunës në familje që nga fillimi i masave të izolimit. Unë vazhdimisht po ngre zërin tim për dimensionet gjinore të pandemisë, duke shpërndarë fakte dhe informacione relevante, duke monitoruar nga afër të gjitha veprimet e qeverisë. Në partneritet me organizata dhe me nisma të ndryshme, unë jam përpjekur të rrisë ndërgjegjësimin mbi implikimet e pandemisë për gratë dhe vajzat. Iu bashkova fushatës e ‘UN Women Kosova’ kundër dhunës në familje dhe bashkëpunova ngushtë me UNICEF-in për çështje që lidhen me shëndetin e fëmijëve dhe me mirëqenien e familjeve.

Çfarë roli duhet të luajnë burrat kur bëhet fjalë për mbështetjen e grave në politikë?

Një numër i kufizuar i grave mbajnë pozita udhëheqëse globalisht dhe e njëjta vlen edhe për Kosovën. Produktiviteti social nuk mund të arrihet ndërsa njerëzit janë të margjinalizuar, të diskriminuar dhe kur përballen me pengesa të bazuara në gjini. Ne, burra dhe gra, duhet të kontribuojmë për të përfshirë më shumë gra në proceset e vendimmarrjes dhe për të ngritur përfaqësimin e tyre në pozitat udhëheqëse. Është e domosdoshme të trajtojmë kulturën mbizotëruese të meshkujve që e kultivojmë në shtëpi që në moshat e hershme. Është gjithashtu përgjegjësi jona t’i rrisim fëmijët tanë pa stigma dhe pa role tradicionale gjinore.

Si do ta inkurajonit udhëheqjen sociale dhe politike të grave dhe si do të kontribuonit në vetëdije më të madhe, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të zënë pozicione vendimmarrëse?

Ka shembuj të shkëlqyeshëm të grave në pozita udhëheqëse dhe që janë duke bërë punë të jashtëzakonshme gjatë pandemisë COVID-19, në Kosovë dhe në mbarë botën. Këto tregojnë se pse gratë duhet të zënë më shumë pozicione vendimmarrëse. Veprimet afirmative e kanë ndihmuar Kosovën të shkojë drejt barazisë në politikë, por është kompetenca që ne e kemi demonstruar, e cila do të nxisë një prani më të lartë të grave në pozitat udhëheqëse si një pjesë integrale dhe e qëndrueshme e shoqërisë sonë. Duke e ndërtuar njëri-tjetrin, ne do t’i ngremë shoqëritë tona në një nivel më të mirë të mirëqenies kolektive. /Zëri