Lajme

Vjosa Osmani i çon një ‘selam’ Bashkimit Evropian

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka arritur të realizojë ende premtimin për t’i dhënë popullit të Kosovës liberalizimin e vizave.

Osmani theksoi se BE-ja duhet të mbajë premtimin, pasi që sipas saj, dy milionë kosovarë kanë mbetur larg nga pjesa tjetër e Evropës.

Gjatë mbajtjes së punimeve online të Sesionit Plenar të SEECP, Osmani tha se roli i kuvendit parlamentar të SEECP është shumë i rëndësishëm në kontributin për stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës Juglindore.

”Për të gjithë përparimin e bërë, megjithatë Bashkimi Europian nuk ka arritur të realizojë premtimin e vet për t’i dhënë popullit të Kosovës liberalizimin e vizave të vonuara. Akoma deri më sot pavarësisht nga të gjitha përpjekjet tona dhe arritjet e njohura, 2 milionë kosovarë, një nga popujt më pro europianë, kanë mbetur larg nga pjesa tjetër e Evropës. Sigurisht, më lejoni të përfundoj duke përsëritur thirrjen tonë, jo vetëm thirrjen e institucioneve por thirrjen e të gjithë njerëzve të Kosovës që Bashkimi Europian duhet të mbajë premtimin e tij për liberalizimin e vizave për popullin e Kosovës”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj pandemia ka shkatërruar dinamikën ekonomike dhe ka ulur ashpër furnizimin.

Për këtë objektivë e këtij sesioni plenar është përmirësimi i bashkëpunimit politik, ekonomik dhe i sigurisë.

”Objektivat tona këtu janë përmirësimi i bashkëpunimit politik dhe të sigurisë, bashkëpunimi ekonomik dhe zgjerimi i bashkëpunimit në fushat e dimensioneve njerëzore, demokracisë, drejtësisë dhe luftimin e veprimtarive të paligjshme. Ky takim vjen në një kohë shumë të paparë, dhe bashkëpunimi ynë tani është i nevojshëm më shumë se kurrë. Bllokimi global që erdhi si rezultat i pandemisë po gjeneron sfida të pashembullta ekonomike që do të kenë një efekt të frikshëm në ekonomitë dhe në shoqëritë tona. Pandemia ka ndaluar tregtitë globale dhe shkatërroi dinamikën ekonomike duke ulur ashpër furnizimin”, ka deklaruar ndër të tjerash Osmani. /Objektiv/