Lajme

Vjosa Osmani “dridhë” LDK-në e Istogut, pas saj shumë figura e simpatizantë të kësaj partie

Sot në Istog, në vendlindjen e ish- presidentit historik Ibrahim Rugova, presidentja në detyrë Vjosa Osmani ka zhvilluar një vizitë.

Osmanin me duartrokitje e kanë pritur shumë qytetarë, duke iu referuar asaj si “Zonja e hekurtë”, shkruan IndeksOnline.

“Është vërtetë nder i jashtëzakonshëm edhe emocion shumë i veçantë të jem në vendlindjen e ish- presidentit historik Rugova, njeriun që Istogu ia dha gjithë Kosovës dhe gjithë shqiptarisë, njeriu i cili i hapi dyertë e botës për ta kërkuar lirinë për secilin prej nesh, e sot që e kemi lirinë ja kemi borxh atij dhe secilit njeri të mirë të këtij vendi që dha mund dhe gjak që ne sot ta gëzojmë vendin tonë, që Kosovës prej 14 shkurtit e tutje t’i ofrojmë institucione e t’i ofrojmë përfaqësues politik që nesër mund të dalin ballë hapur para jush”, tha Osmani, transmeton IndeksOnline.

“Kësaj radhe do të jetë një ndryshim pozitiv, sepse ndoshta edhe politikanët dikush mund t’i ndalë por kur bashkohet një popull askush nuk mund t’i ndalë. Ju jeni dëshmitarët e mi më të rëndësishëm që fjalën që ua kam dhënë edhe e kam mbajt”, ka theksuar ajo.

Simpatizantë të shumtë të Lidhjes Demokratike të Kosovës i kanë bërë asaj një pritje madhështore, duke i uruar njëherësh suksese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Mikpritësit i kanë premtuar asaj mbështetje maksimale në zgjedhjet e ardhshme. /IndeksOnline/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?