Lajme

Vjen reagimi i Gërvalles: Sot po bërtasin fort pikërisht ata që me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme

Mbrëmë Gazeta Sinjali ka publikuar një pjesë të një interviste të Gërvallës, e realizuar më 2017, në të cilën ajo thoshte se Kadri Veseli ka kryer krime ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe se do të dërgojë materiale në Hagë, sapo të formohej Gjykata Speciale, e cila në atë nuk nuk ishte themeluar akoma.

Pas kësaj pasuan reagime të shumta në opinionin publik. E Lidhur me këto reagime është deklaruar vetë ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.

Përmes një shkrimi në Facebook, ajo ka thënë se asnjëherë nuk do të pushon së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit.

“Dje, sot por edhe nesër! Asnjeherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh”, ka shkruar Gërvalla.

Tutje, e para e diplomacisë ka thënë se sot po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka thënë qartë fjalën e tij. Si ministre e qeverisë së zgjedhur me votën më të fuqishme qytetare i përulem çdo vendimi të Kuvendit. Sot po dëgjoj si po bërtasin fort pikërisht ata që me heshtjen dhe me veprat e tyre e sollën Kosovën në këtë gjendje të turpshme. Vetëm me guxim dhe shumë punë do të mund t‘ia kthejmë Kosovës faqen e bardhë, jo me heshtje dhe mashtrim. Shumë punë na presin, vërtet”, ka shkruar Gërvalla.