Lajme

Vjen reagimi i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë: Nuk mbështesim asnjë parti politike

Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e parapëlqejnë e as mbështesin asnjë parti politike apo kandidat të caktuar, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë.

Këtë qëndrim e ka bërë të qartë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, në kohën kur disa parti politike, e veçmas kandidati i PDK-së për kryeministër, Kadri Veseli, po proklamon deklarata se është i partneri i preferuar i amerikanëve, raporton KTV.

“Qeveria e SHBA-së nuk parapëlqen dhe nuk mbështet ndonjë parti politike apo kandidat në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”, është thënë në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Në një tubim në Gjilan, bashkë me Veselin është paraqitur Matthew Whitaker, një jurist amerikan, i cili nga nëntori i 2018-s deri në shkurt 2019-s, ka shërbyer ushtrues detyre i Prokurorit të Përgjithshëm në SHBA.

Whitaker, nga PDK-ja është prezantuar si “njeri i Trumpit”.

Ndërkohë, në një artikull ‘The New York Post’ shkruan se “politikani kosovar që vetëm një herë e ka takuar presidentin Trump, dhe ka bërë foto me të, tani po përpiqet ta përdorë këtë foto në garën për t’i fituar zgjedhjet”.

“Ndryshe nga rivalët e mi, unë jam i vetmi kandidat që promovoj një partneritet të fortë me SHBA-në dhe Shtëpinë e Bardhë të Trumpit”, citohet të ketë thënë Veseli për gazetën.

Megjithatë, përpjekjet e tilla për të përdorur SHBA-në, morën goditje me deklaratën e ambasadës më të madhe në Prishtinë.

Edhe para një muaji, SHBA-ja dhe vendet e QUINT-it patën deklaruar se “nuk mbështesin asnjë parti politike” dhe se “çdo sugjerim që thotë të kundërtën, është i pasaktë”.