Lajme

Vjen një njoftim i rëndësishëm nga Gjykata Speciale

Kanë kaluar plotë gjashtë muaj që kur kryetarja e Dhomave të Specializuara ka caktuar gjyqtarin e Procedurës Paraprake për t’u marrë me aktakuzat e para të cilat janë deponuar nga Prokurori i Specializuar.

Megjithatë edhe përkundër faktit se ka kaluar afati ligjor brenda të cilit një aktakuzë duhet të konfirmohet apo të hidhet poshtë, nga Gjykata Speciale s’ka kurrfarë njoftimi se çfarë ka ndodhur me aktakuzat e para që janë dorëzuar.

Kjo pasi që mbështetur në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe në Rregullat e Procedurës, është në dorën e gjyqtarit të Procedurës Paraprake të vendos nëse e bën publike një aktakuzë të konfirmuar apo nëse vendos ta mbajë atë diskrete edhe pas gjashtë muajsh për arsye sigurie apo me qëllim të evitimit të ndërprerjes së procedurave.

Gjithashtu mbështetur në Ligjin për Dhomat e Specializuara nuk kërkohet që çfarëdo vendimi për hedhje poshtë të akuzave të një aktakuze të bëhet publik.

Një gjë të tillë për Gazetën Express e ka konfirmuar asistenti I zëdhënësit të Dhomave të Specializuara, Michael Doyle.

“Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Rregullorja për Procedurë dhe Evidencë nuk kërkon që të bëhet publik çfarëdo vendimi për hedhjen poshtë të akuzave në një aktakuzë”, ka thënë Doyle.

Doyle ndër të tjera ka thënë se deri më tani asnjë aktakuzë nuk është bërë publike dhe derisa të një aktakuzë të zbulohet ajo mbetet konfidenciale bashkë me procedurat që ndërlidhen me shqyrtimin e saj.

“Prandaj, nuk jam në gjendje t’ju them nëse një aktakuzë është konfirmuar, as nuk mund të them saktësisht se kur kjo mund të ndodhë”, ka thënë ai.

Por pavarësisht hapësirave që lejojnë mbajtjen diskrete të një aktakuzë të konfirmuar edhe pas gjashtë muajsh, një aktakuzë e konfirmuar bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të akuzuarit para Gjykatës.

Aktakuzat e para janë dorëzuar në muajin shkurt, kohë kjo kur edhe Dhomat e Specializuara kanë publikuar njoftimin për caktimin e gjyqtarit të Procedurës paraprake më 24 shkurt.