Lajme

Vjen një lajm i mirë për bizneset në Kosovë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka njoftuar se nuk do të ketë rritje të tarifës energjetike për kategorinë e bizneseve.

Lajmin e bëri të ditur vet ai në një postim në Facebook.

“Pas shume pyetjeve nga bizneset, per ceshtjen e rritjes te tarifes se energjise elektrike, nje pergjigje e shkurte: Nuk pritet te kete rritje te tarifes se energjise elektrike, per kategorine e bizneseve”, tha Rukiqi.

Ky reagim i tij erdhi pas kërkesës së KEDS-it për rritjen e çmimit të energjisë në Kosovë.

Pas kësaj, Zyra e Rregullatorit për Energji ka publikuar një raport konsultativ në kuadër të shqyrtimit të jashtëzakonshëm që e kanë bërë për ndryshimin e tarifave të energjisë elektrike.

ZRRE konstaton se rritja e konsumit të energjisë elektrike që u vërejt në vitin 2021 është shkak edhe i një ndryshimi të strukturës tarifore në vitin 2017.

Duke e marrë për bazë një zotim të Ministrisë së Ekonomisë se do t’i ndajë 75 milionë euro për ta zbutur ndikimin e krizës energjetike në tarifa, ZRRE thotë se nuk ka nevojë për rritje të çmimit të rrymës për ata konsumatorë që nuk shpenzojnë më shumë se 600 kWh rrymë në muaj. Kësisoj, organi që rregullon aktivitetet në sektorin e energjisë në Kosovë thotë se mjetet e ndara nga Qeveria do ta shmangnin nevojën për rritjen e çmimit të rrymës për këtë kategori konsumatorësh.


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje