Lajme

Vjehërrit e viktimës dje kanë qenë në spital, ajo s’i kishte pranuar dhuratat – kërkonte vetëm ndarje të qetë

Gazetarët e Nacionales, Mirlind Behluli e Anita Nikaj po qëndrojnë në shtëpinë e viktimës që u vra sot nga tashmë ish-bashkëshorti i saj. Në shtëpinë respektive policia ka arritur tash e sa kohë, ndërsa familjarët, ata që kanë mundur të flasin, kanë dhënë detaje.

Njëri prej tyre gjithashtu ka thënë për Nacionalen se vjehërrit e viktimës dje kanë qenë në spital. Ata i sollën tashmë të ndjerës para e rroba për fëmijën. Megjithatë, të njëjtat i kishte refuzuar. “Vjehërrit e viktimës kanë qenë dje në spital dhe i kanë dërguar para e rroba për fëmijët. Ajo s’i pranoi. I ka thënë që po kërkon vetëm ndarje”, i tha ky i afërm i viktimës.

Kujtojmë se 35-vjeçarja shtatzënë që mbeti e vrarë këtë të mërkurë në oborrin e Gjinekologjisë në QKUK ka pasur dhunë fizike gjatë martesës nga bashkëshorti i saj që dyshohet se i mori jetën.

Rrezat Magashi, djali i axhës së viktimës, në Edicionin Special në Klan Kosova, tha se viktima ishte ndarë edhe ligjërisht me ish-burrin e saj. “Gjendja jonë është shumë e rëndë, se kemi prit kurrë këtë rast tragjik. Gjendja e familjarëve është shumë e rëndë”.

“Raportet mes tyre kanë qenë shumë të rënda, nga momenti që është martuar ka pasur dhunë fizike. Ka pasur shumë raste kur tashmë ish-burri as nuk e ka lënë që të vijë për vizitë, gjithmonë ka qenë nën përcjelljen e ish-vjehrrës. Ka ardhur vetëm gjatë ditës për vizitë tek familjarët asnjëherë nuk ka qëndruar natën”, tha ai.