Lajme

Veseli tregon cilët sipas tij janë pro-rusë dhe pro-serbë

“Pro-rusë dhe pro-serbë janë të gjithë ata që tentojnë ta ndajnë Kosovën – popullin e Kosovës”, k a thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, duke sqaruar se kë e mendoi foli për qarqet pro-ruse dhe pro-serbe.

Në Zona B të Klan Kosovës ai ka deklaruar se do të punojë shumë që të arrihet konsensus brenda faktorit politik shqiptar në vend, në rrugëtimin drejt fundit të bisedimeve me Serbinë.

“Nuk e kemi ne luksin e degjenerimit politik siç e ka shteti maqedonas dhe ai shqiptar. Sepse ne nuk jemi në OKB. Ne duhet të bëhemi bashkë, sepse ndryshe depërtimi i faktorit pro-rus dhe pro-serb brenda faktorit politik në Kosovë do të jetë më i madh”.

“Kryeministri ka bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme dhe ajo është legjitime. Qëllimi i saj është që të shkohet në një drejtim të ri, në mënyrë që të kemi konsensus nacional. Unë edhe sot e thërras opozitën që të vijë të marrë përgjegjësi”.

“PDK-ja do të marrë pjesë në të gjitha seancat, aty ku është interesi qytetar. Ne duhet të ndërtojmë konsensus përballë Serbisë. Kur jemi bashkë jemi më të fuqishëm. Shpresojmë që nesër do të nisë fillimi i ndërtimit të një platforme të përbashkët. Unë kam thënë le të vijë kush të dojë ta udhëheqë dialogun. Por dialogu është proces i mbështetur nga Shetet e Bashkuara të Amerikës”.

“Ne duhet t’i ruajmë partnerët tanë, të cilët insisojnë që Kosova të shkojë përpara në procesin e dialogut. Ky është proces i madh. Ne si Kosovë duhet të bëhemi bashkë dhe jo të na ndodhë ajo që na ka ndodhur me demarkacion”.

“Ideja është të evitohet debati shterpë dhe të krijohet uniteti”.

“Unë besoj shumë që do të jenë 61(vota) dhe do të votohet edhe nga opozita dhe do të jemi bashkërisht”.

“Ka vend për secilin përfaqësim politik, por destruktiviteti që synon ta rrezikojë shtetin në emër të kauzave të mëdha kombëtare nuk do të lejohet. Në çështje nacionale ne nuk e përjashtojmë asnjë parti”.

“Ka zëra shumë të arsyeshëm në opozitë. Tek LDK-ja e cila ka qenë parti tradicionaliste ka një mllef dhe veçanërisht i ka hyrë në qejf ajo loja e tensioneve”.

“Shteti, sovraniteti, integriteti janë gjëra të shenjta për popullin e Kosovës, janë obligime kushtetuese dhe patriotizëm për Partinë Demokratike të Kosovës”.

“Shqiptarët në Luginën e Preshevës janë qytetarët më të diskriminuar në Europë”. /klankosova.tv


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?