Lajme

Veseli shumë i sigurt: Fitoren në luftën kundër korrupsionit do e arrijmë duke… 

Në kuadër të Ditës së Demokracisë, Kuvendi i Kosovës ka organizuar sot një varg aktivitetesh, ku qindra fëmijë dhe qytetarë ‘vërshuan’ institucionin legjislativ për ta parë nga afër punën e tyre.

Aty ata u pritën nga kryeparlamentari në detyrë, Kadri Veseli i cili duke përmendur transparencën e Kuvendit, tha se duhet të punojnë më shumë që Kosova të bëhet një vend më demokratik.

“E njohim mirë vlerën e demokracisë, sepse e dimë mirë çfarë do të thotë të jetosh pa të. Prandaj demokracia që e gëzojmë ne nuk duhet të merret si e mirëqenë. Duhet të kthejmë kokën prapa me respekt dhe përulje ndaj tërë atyre brezave që kanë sakrifikuar për të realizuar ëndrrën tonë që e jetojmë bashkërisht. Ne duhet të bëjmë çdo ditë më demokratik këtë vend, ku sundimi i ligjit dhe shanset për të rinjtë për të dhënë kontribut është i pacenuar dhe inkurajuar”, tha Veseli.

Kryetari i PDK-së edhe këtu foli për planin e tij kundër korrupsionit dhe nepotizmit që sipas tij do të çrrënjosë këtë fenomen.

Ndërkaq, iu bëri thirrje partive tjera politike që gjatë fushatës të mos përdorin gjuhë të urrejtjes dhe të ketë fushatë të mirëfilltë.

“Korrupsioni dhe nepotizmi cenojnë demokracinë lirinë dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës. Unë mendoj që klasa jonë politike duhet të ketë kurajë për t’u përballur me këtë fenomen. Siç duhet të ketë edhe nisma konkrete me programe dhe reforma dhe jo retorikë boshe. Prandaj kam propozuar një plan gjithëpërfshirëse për të çrrënjosur korrupsionin dhe nepotizmin. Pjesë e këtij plani është forcimi i pjesëmarrjes së qytetarëve në luftimin e këtyre dukurive… Ne duhet të shmangim çdo gjuhë që është e urrejtjes dhe përmbajtës gjatë fushatës. Prandaj, po e përmbyll këtë fjalim duke i bërë thirrje gjitha palëve politike për të zhvilluar një fushatë sa më të qetë dhe dinjitoze”, u shpreh Veseli.

Gjatë këtij aktiviteti po ashtu u bë prezantimi i ueb-faqes së re të Kuvendit, ku u tha se do të lehtësojë më shumë qasjen për këtë institucion.

Më pas përmes kabinës së transparencës disa qytetarë u përgjigjen në pyetjet e parashtruara, ndërsa në ekspozitën e foto-sesionit me temën “pjesëmarrja” u ndan disa çmime.

Pjesë e këtyre aktiviteteve ishin dhe organizata të shoqërisë civile, të cilat përmes panairit të tyre njoftuan qytetarët për punën e Kuvendit.

Nga KDI, Artan Murati tha se ka hapa pozitivë për rritjen e transparencës brenda Kuvendit, por sipas tij nuk duhet të vetëkënaqet pasi që ka hapësirë për përmirësim.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës tash e sa kohë ka ndërmarrë hapa pozitivë në rritjen e transparencën dhe llogaridhënies brenda Kuvendit, sepse ekziston edhe forumi për transparencë parlamentare, i cili ka punuar në vazhdimësi jo vetëm me deputetët, por edhe me mekanizmat tjetër të Kuvendit për të rritur transparencën dhe llogaridhënien karshi qytetarëve. Normalisht, nuk duhet Kuvendi të vetëkënaqet me këta hapa – ka hapësirë edhe më tutje sidomos në aspektin e transparencë financiare”, tha ai.

Njëra prej nxënësve që kishte ardhur për të vizituar Kuvendin e Kosovës, Dea Misini tha se kjo i ka ndihmuar shumë për të marrë informacione mbi këtë institucion legjislativ.

“Arsyeja pse kemi ardhur këtu është se sot është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë, ne jemi si pjesëmarrës. Kemi pa shumë sende të bukura, kemi bërë aktivitete të mira”, tha ajo.

Në fund u mbajt edhe Kuizi i Demokracisë në hollin e Kuvendit mes nxënësve të dy shkollave në Prishtinë./Lajmi.net/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?