Lajme

Veseli për Lushtakun: Nuk është i fortë vetëm pse ka qenë në luftë. Për mua i madh është vetëm Zoti!

Përçarja mes kreut të PDK-së, Kadri Veselit dhe kryetarit të Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtakut, është thelluar pas vendimit të Veselit që të largojë nga funksionet publike, zyrtarët e PDK-së me aktakuza.

Këtë vendim Veseli e kishte bërë publik më 19 qershor në konferencë për media, vetëm 3 ditë pasi që ishte rizgjedhur kryetar i partisë.

Por, ky vendim nuk i kishte pëlqyer Sami Lushtakut, ndaj të cilit rëndojnë dy aktakuza, e para për rastin e njohur si KEK2, për veprën penale të shtytjes në keqpërdorim të detyrës zyrtare, e dyta për arratisjen nga QKUK-ja, në kohën sa ndodhej në paraburgim në Rastin “Drenica”.

Përmes një deklarimi në Facebook, Lushtaku kishte thënë se mandatin e kryetarit të degës, ia marrin vetëm ata që e kanë votuar dhe askush tjetër.

Ai më tutje ishte shprehur se: “Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë”,

Veseli kishte heshtur ndaj këtyre akuzave të bashkë partiakut të tij.

Ndërsa i pyetur sonte në emisionin Rubikon të KTV-së, se pse nuk i është përgjigjur deklaratave të Lushtakut, Veseli ka dhënë këtë përgjigje:

“Pse nuk e thirrni Sami Lushtakun me e pyet për njerëzit e fortë, ai ndoshta i dinë kush janë njerëzit e fortë, njerëzit e mëdhenj… për mua i madh është veç Zoti…..Unë i kam kërkuar shpjegime vetë Lushtakut, le të ma thotë ai kush është aty, kush janë të fortit”, ka deklaruar Veseli.

Veseli madje ka dhënë edhe një vlerësim për “forcën” e Lushtakut.

“Pse qenka Sami Lushtaku i fortë, pse ka qenë në luftë a? Nëse ka qenë ushtar i UÇK-së nuk duhet t’i vnohet një nofkë i “fortë”, ka thënë Veseli.

Tutje Veseli ka shtuar se në luftën e tij kundër korrupsionit, keqpërdorimeve dhe nepotizmit nuk do të ketë tolerancë ndaj askujtë.

“Unë kam thënë publikisht, vëllain tim nuk e mbrojë… unë kam larguar persona që i kanë mbajt 17 vjet pronat publike të uzurpuara dhe do të largoj edhe shumë të tjerë që duhet me u largu”, është shprehur Veseli.
/Gazeta Sinjali/


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?