Lajme

Vendosja e reciprocitetit nga Qeveria Kurti, reagon deputeti shqiptar në serbi

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se në situatën e krijuar me reciprocitetin e targave, shteti serb e mban fajin. Kamberi në një përgjigje për Gazetën Express tha se mosrespektimi i marrëveshjes lidhur me tabelat theksohet edhe në Raportin e progresit të BE-së për Serbinë në vitin 2020. Ai konsideron që vendimi i qeverisë së Kosovës do t’ju krijojë telashe shtesë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Qeveria e Kosovës dje ka marrë vendim që të aplikojë masa të reciprocitetit sa u përket targave të Serbisë. Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Këto targa të përkohshme po u vendosen veturave në xhama para dhe prapa. Vendimi është pritur me protesta nga serbë në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Megjithatë, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi i tha Gazetës Express se vendimi do t’ju shkaktojë telashe shtesë shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Sigurisht që shqiptarëve të Luginës së Preshevës do t’ju shkaktojë telashe shtesë, së pari rreth tollovisë që do të shkaktohet në vendkalimet kufitare në Konçul e Muçibabë, por, nëse Serbia duhet bindur se duhet respektuar marrëveshjet e nënshkruara, nëse ky vendim i reciprocitetit është vlerësuar si rrugë drejt arritjes së këtij qëllimi, duhet pritur reagimet”, tha Kamberi.

Kamberi tha poashtu se në situatën e krijuar, Serbia mban fajin pasi s’ka respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Duket theksuar se është Serbia ajo që nuk po respekton disa Marrëveshje të arritura në Brksel e në mesin e tyre edhe Marrëveshjen në lidhje me tabelat e regjistrimit, prandaj, në situatë të këtillë ajo mban fajin për situatën më të re”, u shpreh Kamberi.

Tutje, deputei shqiptar vlerëson se është problematik qëndrimi i BE-së në lidhje me mosrespektimin e marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

“Është problematik edhe vetë qëndrimi i BE-së si moderuese e Marrveshjeve Kosovë /Serbi për mosrespektimin e tyre nga ana e Serbisë. Kjo, mosrespektimi i marrëveshjes lidhur me tabelat, theksohet në Raportin e progresit të Serbisë drejt BE-së për vitin 2020, por mjerisht nuk ka asnjë veprim konkret për ta bindur Beogradin që Marrëveshjet e nënshkruara edhe t’i respektoj”, tha ai.

Dje në seancën e Kuvendit të Kosovës, Kryeministri Kurti tha se pesë ditë pas skadimit të afatit të paraparë sipas marrëveshjes për lëvizjen e lirë, Ministria e Punëve të Brendshme ndërmorri veprimet e nevojshme për konfisikimin e të gjitha tabelave ilegale brenda Republikës së Kosovës.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që të aplikojë masa të reciprocitetit, sa u përket targave të Serbisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin masa, në mënyrë që të ulen tensionet në veri të Kosovës.

“I bashkohemi BE-së në thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të përmbahen nga veprimet e mëtejme të njëanshme dhe të ulin tensionet menjëherë, pa asnjë vonesë”, është thënë në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?