Lajme

Vazhduan edhe gjatë natës luftimet mes këtyre dy vendëve, raportohet për viktima

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes së Azerbajxhanit, të publikuar të martën në mëngjes, gjatë natës së kaluar ka pasur luftime me artileri të rëndë mes forcave azere dhe armene.

Përmes një deklarate, kjo ministri tha se forcat armene u përpoqën t’i kthejnë nën kontroll pozicionet e humbura në rajonet kufitare Fuzuli-Jabrayil dhe Agdere-Terter, shkruan Anadolu, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, kundërpërgjigjja me zjarr nga trupat e Azerbajxhanit i bëri të dështojnë përpjekjet e azerëve, thuhet në deklaratë.

Aty thuhet se forcat e Azerbajxhanit e kanë shkatërruar një kolonë të automjeteve të blinduara armene, të cilat dolën nga fshati Madagiz.

Për më tepër, ministria tha se ushtarët azerë i shkatërruan një tank dhe një automjet të armenëve të martën në mëngjes, duke i neutralizuar 10 ushtarë.

Ministria e Mbrojtjes gjithashtu tha se operacioni për ta pastruar qytetin Fuzuli nga trupat armene është duke vazhduar dhe katër tanke të armikut janë shkatërruar.

Përleshja e armatosur mes dy shteteve të Kaukazit Jugor shpërtheu të dielën. Palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për nisje të konfliktit, i cili nuk është i pari mes tyre. Përleshje vdekjeprurëse mes këtyre shteteve pati edhe në korrik të këtij viti dhe konflikti i ngrirë ekziston de fakto që nga viti 1991.