Lajme

Ushtria e Kosovës fillon të armatosët si ushtritë moderne

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të premten më 25 qershor ka shqyrtuar propozimin për blerjen e dronëve nga Shtetet e Bashkuara për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Propozimi është bërë nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili i tha kabinetit qeveritar se blerja e katër dronëve amerikanë bëhet për nevoja të ngritjes së kapaciteteve për inteligjencë, vëzhgim dhe zbulim.

Mirëpo, gjatë raportimit të ministrit ndodhën disa paqartësi rreth shumës që do të shpenzohen për blerjen e këtyre dronëve.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj kishte thënë se “do të blejnë katër dronë nga ShBA-të, kostoja e të cilëve është 4.6 milionë dollarë ose 11.9 milionë euro”.

Telegrafi ka pyetur në Ministrinë e Mbrojtjes, se cila shumë do të jetë në dispozicion për blerjen e dronëve, pasi që në fjalimin e ministrit Mehaj kishte paqartësi rreth shumës, të njëjtit kanë deklaruar se ka ndodhur një keqkuptim gjatë fjalimit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Flamur Arifaj tha se shuma për blerjen e dronëve është 11.9 milionë euro.

“Ka ndodhur një keqkuptimin në konvertimin e dollarëve në euro, në mbledhjen e radhës do të merret vendimi për shumën e saktë për blerjen e dronëve. Dronët do të blihen me 11.9 milionë euro. Pagesa do të realizohet me dy këste, njëra tani dhe tjetra në vitin e ardhshëm”, tha Arifaj.

Ndryshe, ministri Mehaj kishte deklaruar më herët se planifikojnë të bëjnë disa blerje të pajisjeve ushtarake.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?