Lajme

Ushtarët e UÇK’së rrëfejnë për ditën kur nisën bombardimet e NATO’s

Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë, NATO 22 vjet më parë nisi sulmet ajrore ndaj caqeve serbe.

Bombardimet që filluan më 24 mars të vitit 1999 e zgjatën plot 78 ditë kishin për synim ndalimin e gjenocidit serb që po bëhej mbi popullin e Kosovës.Kjo ditë do të mbetet përherë në kujtesën e shqiptarëve.“Ne si luftëtarë bombarduesit e NATO-s i shihnim si “forcat ajrore të UÇK-së” dhe njëkohësisht lajmëtar të lirisë dhe rilindjes sonë” nis rrëfimin e tij ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Gashi.

Gashi rrëfen përjetimin e tij rreth fillimit të bombardimeve të NATO-s për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.“24 marsi i 1999-ës më gjeti në Malsinë e Gollakut e cila njihet si rrethina e Prishtinës në radhët e Brigadës 153 të UÇK-së “Hyzri Talla”, Zona Operative e Llapit”.

“Fillimi i bombardimeve përveç si akt ushtarak ishte edhe ndjesi e veçantë shprese për popullin e terrorizuar shqiptar në përgjithësi e veçanërisht ndjesi ndihme nga ajri për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ne si luftëtarë i shihnim bombarduesit e NATO-s si “forcat ajrore të UÇK-së” dhe njëkohësisht lajmëtar të lirisë dhe rilindjes sonë”.Ky ish-luftëtar pos kujtimeve që ende i ka të freskëta – me luftën mori edhe një shenjë që do të jetojë me të deri në frymën e fundit.“Në pasditen e 18 prillit 1999, gjatë luftimeve në zonën jugperëndimore tê fshatit Mramor (krejt afër Majës së Gërmisë) plagosem në këmbën e djathtë mbi gju gjatë luftimeve ballë për ballë me forcat serbe në afërsi prej 17 metrash”.

“Peripecitë për të mbijetuar falë shokëve bashkëluftëtar kur i tregoj tani ende sikur atëherë më duken pothuajse të paimagjinueshme pasi zgjatën mbi një javë në terrene kodrinoro-malore me reshje shiu e bore, pa ushqime e medikamente të mjaftueshme. Trajtimi i plagës në këmbë e cila ishte tejshpuese zgjati gjatë pasi në kushte luftimesh ishte i pamundur trajtimi adekuat por falë vullnetit për jetë dhe përkrahjes familjare e shoqërore unë u aktivizova në jetën civile menjëherë pas çlirimit dhe sfida që më shkaktonte dhembja e trashëguar nga lufta më rrinte si çmimi për lirinë e arritur andaj e abstrahoja” thotë Gashi.

Ish-luftëtari rrëfen edhe kthimin në shtëpi dhe fjalët e para që ia tha babai i tij.

“Kthimi në shtëpi në Prishtinë bashkë me dy vëllezërit e mi po ashtu bashkëluftëtarë Fatmirin dhe Dardanin si dhe bashkimi me prindërit dhe tri motrat ishte momenti i lotëve të gëzimit dhe falënderimit deri në pafundësi për mrekullinë e quajtur “çlirim” ani se shtëpia ishte e shkatërruar nga forcat serbe”.

“Në momentin e takimit, fjala e parë e babait tim të përlotur ishte: “Ma bëni hallall nëse iu kam ngarkuar me vuajtjet e mia që m’i shkaktoi regjimi serb për 19 vite dhe faleminderit që e nxorët hakun me liri, djemtë e mi”.Radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si i ri iu bashkua edhe Agim Dugolli, tashmë veteran.

“Si i ri kam qëndruar për tri vite në Gjermani dhe atje takova disa shqiptarë që merreshin me parapërgatitjen e luftës së UÇK-së. Më kujtohet një moment ku prezentë ishin Abedin Rexha, Sandakani, Ilaz Kodra, Ramiz Lladrovci e shumë të tjerë që pasi ka kaluar gjatë kohë nuk më kujtohen. Di se këtë takim e kishte organizuar komandat Luani-Ramiz Qeriqi, dhe unë aty vendosa që t’i bashkohem radhëve të UÇK-së”.“Në korrik të 1998 bashkë me heroin, Nazmi Uksmajli, u nisëm nga Gjermani për në Shqipëri. Në Tiranë na priste Ramiz Lladrovci ku qëndruam pak ditë dhe pastaj na dërgoi në Tropojë – nën komandën e Bekim Berishës – Abejës”“Stërvitjet e para i filluam në Tropojë me shumë djemë që kishin ardhur nga Kosova për armatim”, thotë Dugolli për KlanKosova.tv.

Dugolli mes tjerash tregon edhe nisjen për Kosovë ku bashkë me ish-luftëtarë ranë në pritën serbe.

“Pak ditë pas stërvitjeve i’a mësymë kufirit Shqiptaro-Shqiptar dhe për pak ditë qëndruam në kufi – por rezultoi se duhet të ktheheshim prapa. Më 17 korrik 1998 prapë nisemi për kufi ku për fat të keq biem në pritë me ushtrinë dhe paramilitarët serbë – ishte një betejë tejet e pabarabartë dhe më vonë arritëm të tërhiqemi”.

“Pas disa javëve kaluam kufirin dhe arrita në Pjetërshticë, ku na pritshin shumë beteja në Grykën e Carralevës, Zborcë, Blinajë, Fushticë e Ulët, Gryka e Llapushnikut”.

Ish-luftëtari tregon edhe si bashkë me luftëtarët e përjetuan fillimin e bombardimeve të NATO-s.

“Më 24 mars të vitit 1999 isha për vizitë tek Shaban Ibriqi në Komoran teksa në orët e vona filluan bombardimet e NATO-s. Pas fillimit të bombardimeve të para menjëherë kam shkuar drejt në pikat ku ishim të vendosur me ushtarët e UÇK-së dhe jemi mobilizuar të gjithë që armiku të mos depërtonte në pikat tona ku ishim të vendosur”.

“Bombardimet e NATO-s i kemi pritur me padurim që të na vinin në ndihmë sepse gjatë atyre ditëve veçse ushqimet dhe municioni kishin filluar të hargjoheshin – por që nga nata e 24 marsit kishim marrë edhe një herë forcë që bashkë me ndihmën e Zotit dhe akatin e NATO-s që të largojmë serbët nga Kosova”.

“Gjatë bombardimeve të NATO-s kemi vëzhguar çdo lëvizje të serbëve. Për tre javë rresht kemi qëndruar në një pikë duke u përballur me forcat serbe”, u shpreh Dugolli.

Dy ish-luftëtarët bashkohen sërish në mendimin se ekzekutivi duhet të bërë më shumë rreth dëshmorëve, invalidëve, veteranëve të UÇK-së, viktimave civile e personave të zhdukur pasi kjo sipas tyre do të qonte tek funksionalizimi i plotë i shtetit si brenda ashtu edhe në raport me shtetet e organizmat e huaja.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?