Lajme

Urdhri i ri/ Ndalohet publikimi i imazheve të të miturve në rrjetet sociale pa miratimin e prindërve

Urdhri i ri i drejtorisë së arsimit parauniversitar, ndalon publikimin e imazheve të fëmijëve në rrjetet sociale, pa miratimin me shkrim nga prindërit. Por ndërkohë që për përfaqësuesit e institucioneve arsimore, kërkohet ky zbatim rregulli, në rrjetet sociale të politikanëve, nisur nga kryeministri, kryebashkiaku Veliaj, apo edhe ministrja e Arsimit Evis Kushi fëmijët përdoren për të reklamuar punën e tyre.

Drejtoria e përgjithshme e arsimit parauniversitar ka publikuar urdhrin e ri për institucionet arsimore që ndalon publikimin e fotove dhe videove pa miratimin e fëmijëve.

Urdhri i DPAP ngarkon me kompetenca përfaqësuesit e shkollave që të marrin lejë nga prindërit, miratim i cili duhet të jepet me një dokument, dhe jo verbalisht.

Institucionet e arsimit parauniversitar dhe zyrat vendore të arsimit, edhe kur marrin miratimin e prindërve duhet të kujdesen që publikimi i imazhit të fëmijëve në rrjetet sociale të bëhet duke u mbuluar fytyrën.

Në nenin 10 të këtij udhëzimi, thuhet se mosrespektimi i tij, përbën shkak për fillimin e procedimit disiplinor nga organet përkatëse.

Gjithashtu, është e mirëpërcaktuar, se nëse dikujt prej fëmijëve nuk u respektohet kjo e drejtë, atëherë të dëmtuarit i lind e drejta për kërkimin e një kompensimi.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?