Lajme

Uran Ismaili e cilëson si dështim total menaxhimin e pandemisë nga Qeveria

Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, deputeti Uran Ismaili tha sot se situata me COVID-19 në Kosovë është dramatike ndërsa sistemi shëndetësor, buzë kolapsit.

Përmes një shkrimi në Facebook, ish-ministri i Shëndetësisë theksoi se Qeveria Hoti po tregohet se nuk ka kompetencën e duhur për ta menaxhuar situatën.

Ai shtoi se është e pakuptimtë që Qeveria edhe më tutje t’i përgjigjet pandemisë me një qasje të tillë, pa politika të qarta që do ta kthenin mbarë këtë gjendje të rënduar.

“Konferenca e sotme e Qeverisë Hoti edhe një herë vuri në pah mungesën e kompetencës të kësaj Qeverie. U tha se do të blihen aparatura për testime, e do të rriten kapacitetet e spitaleve, por pa asnjë afat kohor e asnjë detaj tjetër. Kemi pesë muaj ballafaqim me pandeminë dhe përgjigje të tipit “jemi në proces” janë tejet të vonuara”

“Rritja enorme e rasteve me Covid-19 në Kosovë është indikatori kryesor i një sërë dështimesh që e kanë percjellë sistematikisht këtë pandemi. Sot më shumë se kurrë shihet mungesa e vendimmarrjes dhe vizionit të Qeverisë për përballjen me pandeminë”, tha Ismaili.

Ismaili shtoi se derisa në Kosovë zyrtarisht me virus janë prekur mbi 7 mijë persona, kapacitetet testuese janë pothuajse të njëjta me ato kur vendi kishte vetëm 1 të infektuar.

Sipas tij, Qeveria Kurti dhe Qeveria Hoti për pesë muaj dështuan të rrisin nivelin e testimit dhe kjo është dëshmia më e mirë e disfatës së tyre kundrejt pandemisë.

“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shtetet që testojnë vetëm raste të rënda simptomatike, ose të shtruara në spital, kanë shkallë më të lartë të vdekshmërisë sesa vendet që bëjnë testime të shpeshta. Ky është mesazh i qartë se testimi duhet të rritet, në mënyrë që të ulet kjo normë shumë e lartë e vdekshmërisë”, tha sekretari i Përgjithshëm i PDK-së./Objektiv/