Lajme

“Unë të votova ty, ti votoje Trustin”, nis protesta për tërheqjen e kursimeve nga Trusti

Dhjetëra qytetarë kanë filluar protestën për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti Pensional. Me pankarta në duar, protestuesit kanë kërkuar nga deputetët që në seancën kur do të vijë për votim ky Projektligj, ta votojnë “siç i votuan ata për deputetë”.

“Unë të votova ty, ti votoje trustin”, “Djersa është e jona, lejoni kursimet tona”, “Trusti është i joni jo i Qeverisë”, janë disa nga thirrjet e qytetarëve në këtë protestë.

Për tërheqjen e mjeteve nga Trusti janë shprehur edhe punëtorë e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Kjo sipas kryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumica, mbi 90 për qind e tyre janë shprehur pro kësaj tërheqjeje.

“Ne si Sindikatë e Re e KEK-ut kemi bërë disa sondazhe me punëtorë, ku mbi 90 për qind e tyre kanë shprehur vullnetin për tërheqjen e mjeteve sepse dihet gjendja e tyre. Kjo gjendje socio ekonomike pas pandemisë me të vërtetë punëtorët kanë nevojë. Por kjo nuk do t’ju ndihmoj vetëm punëtorëve por mbarë qytetarëve të Kosovës. Ato janë kursimet tona, ato nuk janë kursimet e qeverisë. Ata që nuk kanë dëshirë t’i tërheqin ato mjete le ti lënë aty”, tha ai.

“Vullneti i të gjithëve është për t’i tërhequr ato mjete. Ne nuk shohim investim në vendin tonë edhe për kundër papunësisë e ikjes së qytetarëve. Lus Qeverinë, Parlamentin e partitë politike që të votojnë pro kësaj tërheqje sepse sot o kurrë kemi nevojë”, tha ai.

Pjesë në këtë protestë janë edhe disa deputetë të PDK-së dhe AAK-së./eo


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?