Lajme

“Unë do të jem gjithmonë mik i Kosovës” – Ky është ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka nominuar për ambasador të SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Nder të madh për të dhe gruan e tij Laura Hovenie, e katër fëmijët e tij Helen, Sabin, Peter Hovenier, Megan Atkin, and Julia Hovenier, e ka konsideruar ambasadori Jeffrey Hovenier nominimin e tij nga Presidenti Joe Biden si ambasador i ardhshëm i SHBA-ve në Prishtinë.

Në dëshminë e tij, plotë me emocion e vlerësime për Kosovën dhe marrëdhëniet e shtetit të vogël europian me SHBA-të, sot në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit Amerikan, Jeffry M. Hovenier ka përmendur edhe periudhën kur siç thotë “Kam pasur fatin të marr pjesë” në “përpjekje në kapacitete të ndryshme” që të sherbejë në Kosovë me ekipin e OKB-së të udhëhequr nga ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari që zhvilloi “Planin e Ahtisaarit” dhe Hovenier e thekson se hapi rrugën për pavarësinë e Kosovës.

“Nëse konfirmohem si ambasador i SHBA-së në Kosovë do të ishte një nder i veçantë për mua që të shërbejë në një vend që ka dalë tmerret e ish-Jugosllavisë dhe spastrimit etnik nga regjimi i Millosheviqit. Shtetet e Bashkuara luajtën një rol thelbësor, së bashku me partnerët tanë evropianë, për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe për t’i mbështetur ata në përpjekjet e tyre për të krijuar një vend multi-etnik e demokratik”, tha ai në deklaratën e tij në Senatin amerikan, transkriptin e së cilës e ka siguruar Gazeta Online Reporteri.net.

Por, kush është Jeffrey M. Hovenier?

Ai është një diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan që ka qenë pjesë e stafit të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Hovenier aktualisht është zëvëndësshef i misionit të Ambasadës së SHBA-së në Ankara të Turqisë. Ai gjithashtu ka shërbyer edhe në ambasadën e SHBA-së në Berlin si dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru.

Në Uashington ai ka kryer detyrën e Drejtorit për Çështjet të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

Nominimi i tij duhet të konfirmohet nga ana e Senatit amerikan.

Në qershor të vitit 2018, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e pati dekoruar diplomatin Hovenier me Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

“Mbështetja e juaj dhe e SHBA-së në të gjitha proceset politike ka qenë përcaktuese për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Do të jemi përgjithmonë mirënjohës”, pati thënë atëbotë Thaçi.

Ndërsa diplomati amerikan, Jeffrey Hovenier, kishte deklaruar se qëndrimi amerikan gjithmonë ka qenë në përkrahje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

“Unë do të jem gjithmonë një mik i Kosovës”, pati thënë Hovenier.

Në pozitën e ambasadorit në Prishtinë, ai do të zëvëndësonte, ambasadorin e tanishëm, Philip Kosnett.

Përmes një postimi në rrjetin social, Twitter, ambasadori Kosnett e ka uruar Hovenier për nominimin që të shërbejë si ambasador i SHBA-së në Kosovë.