Lajme

Trump: Brenda vitit do kemi gati vaksinën ndaj Covid-19

Donald Trump është optimist se vaksina kundër Covid-19 do të jetë gati brenda këtij viti. Besimin e shprehu në një diskutim online të organizuar nga rrjeti televiziv amerikan Fox News brenda memorialit të Abraham Linkolnit në Uashington.

“Jemi shumë të sigurtë se vaksina do të jetë gati deri në fund të këtij viti”

Bëhet fjalë për afatin më të shpejtë për prodhimin e vaksinës që Trump ka deklaruar deri më tani. Besimi i tij bazohet edhe tek fjalët e kreut të Institutit të Sëmundjeve Infektive, Entoni Fauçi, i cili pak ditë më parë u shpreh se “qindra miliona doza mund të jenë gati për imunizimin e popullatës në Janar”. Qeveria amerikane po financon aktualisht me fondet e saj zhvillimin e 3 vaksinave për të përshpejtuar ritmet e provave tek njerëzit.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë akuzoi sërish Kinën si përgjegjëse për shpërthimin e pandemisë globale të Covid-19. Teksa disa shtete federale amerikane kanë hapur procese gjyqësore kundër Kinës në gjykatat e Shteteve të Bashkuara, administrata Trump po shqyrton mundësinë e nisjes së një procesi në gjykatat penale ndërkombëtare.

Shërbimet sekrete amerikane thanë se kishin të dhëna që Kina ka qenë në dijeni të daljes aksidentale nga laboratori të koronavirusit, por ia fshehën botës këtë fakt. Sipas mediave, Uashingtoni do të kërkojë dëmshpërblim për dëmin njerëzor dhe ekonomik. Gjykatat amerikane nuk kanë të drejtë ligjore të japin verdikte për një vend që është jashtë juridiksionit të tyre.


SHIKO EDHE: Si do të duket jeta pas COVID-19?