Lajme

Tre javë nga tragjedia në Pejë: Familja e kandidatit të PDK për Pejë: Astriti u vra nga mafia politike

Viktima – Astrit Ademaj

Tri javë më parë, në mbrëmjen e 8 shtatorit ndodhi një rast tragjik në Pejë, ku mbetën të vdekur kandidati për kryetar të Pejës nga PDK, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati për kryetar të Deçanit nga kjo parti, Blerand Kadrijaj. Po ashtu atë natë u plagos edhe vëllai i Astritit, Avniu.

Vëllai tjetër i Astritit, Armendi sonte ka ndarë një shkrim, ku natën e 8 shtatorit e cilëson “të zezë”. Ai thotë se në atë natë u krye një krim politik dhe se Astriti u vra nga mafia politike, raporton Indeksonline.

Tutje, Armendi tregon se Astriti pati kërcënime e shantazhe të vazhdueshme në betejën elektorale.

Shkrimi i plotë:

TRI JAVË MË PARË, në natën e zezë të 8 shtatorit 2021, prej dorës së një atentatori të mafisë politike dhe shumë tradhtarëve, u krye një KRIM POLITIK – u vra ASTRIT ADEMAJ!

TRAGJEDI kjo që helmoi gjithë zemrat tona, dhe na e përmbysi botën përgjithmonë.

VËLLA ASTRIT, që tri javë, familja, të afërmit dhe mijëra shqiptarë të mirë, po vajtojmë për ty!

ASTRIT, ti me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër kurrë, sepse emri yt është shkruar në zemrat tona të copëtuara! Ndoshta edhe dikush prej nesh do të vritet por të siguroj se ASNJË FORCË NUK DO TË MUNDET TË NA DORËZOJË PËR TË KËRKUAR DREJTËSI – ashtu siç nuk u dorëzove ti para shantazheve dhe kërcēnimeve të vazhdueshme në betejën elektorale.

JEMI BETUAR PARA VARRIT TËND, për të mos lënë asnjë njollë figurës tënde, që ky krim monstruoz – i kryer ndaj teje, të zbardhet sa më shpejt, dhe e vērteta e hidhur ti komunikohet popullit.

Aela dhe Buroni do të jenë krenarë për ty.

GJAKU YT I DERDHUR ËSHTË AMANETI JONË!