Lajme

Tragjike/ Djali rrahu brutalisht prindërit – babai s’u bën ballë plagëve dhe vdes

Një ngjarje mjaft e dhimbshme por edhe e frikshme ka ndodhur mbrëmë në Brod të Shtërpcës, ku një burrë ka vdekur si pasojë e dhunës që ka përjetuar nga i biri, i cili i ka rrahur mizorisht dy prindërit e tij.

Burimet e Sinjalit nga Emergjenca kanë bërë të ditur se rasti fillimisht është raportuar nga nëna e të dyshuarit, e cila në gjendje të rëndë ka kërkuar ndihmë nga Policia, për shkak të sulmit fizik të djalit të tyre.

Dhuna siç duket ka qenë aq brutale, sa plagëve e goditjeve që mori nga i biri, nuk arriti t’u bëjë ballë I.A., babai i tij, i cili tashmë ka humbur jetën. Viktima është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Ferizajt, por fatkeqësisht intervenimet kanë qenë të pasuksesshme.

Ndërkohë, sipas informatave të para, edhe gruaja e viktimës, nëna e të dyshuarit, e cila po ashtu është rrahur, ndodhet në Emergjencë dhe ende nuk dihet për gjendjen e saj shëndetësore.
Siç mëson Sinjali, Policia është njoftuar nga spitali për rastin dhe së shpejti pritet të ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore.