Totaj i PDK’së bie viktimë e ‘Fake News’, shpërndanë lajmin se Albin Kurti i merr 30 mijë euro nga Serbia!
Kryetari i degës së PDK në Prizren, Shaqir Totaj, ka publikuar një artikull të pa konfirmuar në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” ku thuhet se kreu i VV-së Albin Kurti merr 30 mijë euro nga shteti serb.
Totaj, duke u thirrur në vërtetësinë e atij artikulli ka ftuar drejtuesit e VV që të sqarojnë këtë konstatim, raporton 02 Press.
“Ky veprim nëse vertetë ka ndodhë si i tillë ka premisa të tradhtisë kombëtare, andaj apeloj që sa më parë të qartësohet kjo akuzë”, ka shkruar Totaj, në postimin e tij.
Artikulli në fjalë i publikuar në një media fantome i referohet Dardan Molliqajt të PSD-së, kinse ka deklaruar se Kurti financohet nga shteti serb, duke mos dhënë asnje dëshmi për vendin ku është dhënë kjo deklaratë, kohën apo një argument shtesë.
“Dardan Molliqaj dikur bashkëpunetori i afërt i Albin Kurtit e akuzon Kurtin se çdo muaj i merr nga Serbia nga 30.000€ !
Është akuzë e rëndë dhe shum serioze për tu injoruar. Kjo akuzë që vjen nga bashkëpuntori i afert i Kurtit duhet të hetohet dhe të dalë e verteta në shesh”, ka shkruar më tej Totaj.
Nuk është hera e parë që Totaj shpërndanë informacione të pa verifikuar, ngjashëm kishte vepruar edhe me një sondazh që ishte manipuluar për rezultatin e zgjedhjeve të 14 Shkurtit.