Lajme

Themelohet komisioni parlamentar për të hetuar menaxhimin e pandemisë

Kuvendi i Kosovës ka votuar për themelimin e një komisioni parlamentar për të hetuar dyshimet për keqpërdorime lidhur me menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Për themelimin e këtij komisioni, kanë votuar 74 deputetë, 10 deputetë abstenuan, ndërsa kundër nuk kishte asnjë.

Themelimin e një komisioni të tillë e ka propozuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Sipas propozueses së këtij komisioni, deputetes së PDK-së, Eliza Hoxha, komisioni do të merret me gjithçka që ka të bëjë me pandeminë, më atë që është bërë nga Qeveria, do të hetojë vdekjen e Agon Musliut në Qendrën e Studentëve derisa ishte i karantinuar dhe asaj që do të bëhet në lidhje me situatën e krijuar.

Anëtarë të këtij komisioni janë zgjedhur: nga VV-ja, Mimoza Kusari-Lila – kryesuese, Labinotë Demi-Murtezi e Fatmire Mulhaxha Kollçaku, nga LDK-ja, Ekrem Hyseni, Ilir Ferati e Veton Berisha, nga PDK-ja, Eliza Hoxha – zv.kryesuese e Bekim Haxhiu, nga AAK-ja, Shkumbin Demaliaj, nga Lista Serbe, Milosh Peroviq, nga Nisma-AKR, Endrit Shala.

Para se të votohej themelimi i këtij komisioni, deputetët kanë diskutuar për dyshimet se gjatë pandemisë ka pasur keqpërdorime dhe abuzim me paratë publike.

Pro një komisioni të tillë, janë deklaruar të gjitha grupet parlamentare, përfshirë edhe atë të Lëvizjes Vetëvendosje, parti e cila ka qenë në qeveri në kohën kur ka qenë piku i pandemisë. /Objektiv/


SHIKO EDHE: 10 teknologjitë e lashta për të cilat shkenca ende nuk ka përgjigje