Lajme

Thaçi: NATO na e ktheu shpresën për liri

Presidenti Hashim Thaçi, duke kujtuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO’së, ka deklaruar se 24 marsi i vitit 1999 ishte pikënisje e ndalimit të gjenocidit dhe rikthim i shpresës për liri.

Postimi i Thaçit:

Pas dështimit të përpjekjeve diplomatike për ta detyruar Serbinë që t’i ndërpriste ofensivat brutale dhe masakrat mbi popullsinë civile në Kosovë, ish-sekretari i NATO-s, Javier Solana, më 23 mars 1999 kishte urdhëruar fillimin e sulmeve të NATO-s kundër forcave serbe. Edhe sot kur i kujtojmë këto ditë, dy dekada pas, e kemi të freskët gëzimin e madh që përjetuam në ato momente tejet të vështira për popullin tonë.

Kjo ishte pikënisje e ndalimit të gjenocidit dhe rikthim i shpresës sonë për liri e pavarësi. UÇK-ja në tokë dhe NATO-ja në ajër, në luftën e përbashkët për paqe, e detyruan kapitullimin e regjimit të Millosheviqit.

Intervenimi i NATO-s, i cili ndaloi spastrimin etnik, na obligon edhe më shumë që me përkushtim të shtuar institucional dhe politik t’i ruajmë dhe t’i garantojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në vendin tonë.

Republika e Kosovës është dhe do të jetë përherë atdhe i përbashkët i të gjithë qytetarëve të saj.