Lajme

Thaçi deklarohet pas ardhjes në Kosovë

Presidenti Hashim Thaçi këtë mbrëmje arriti në Kosovë pas kthimit nga Haga ku u intervistua për katër ditë me radhë.

Në pikën kufitare në Morinë, presidenti Thaçi u prit nga organizatat e dala nga lufta e UÇK’së dhe qytetarë të shumtë.

Në kufi Thaçi i përshëndeti me dorë, ndërkohë nëpërmjet Facebookut i ka falënderuar ata për mbështetje.

“Një falënderim nga zemra për Ju motra e vëllezër, që në këtë kohë të vështirë jo vetëm për shkak të pandemisë, sot më keni pritur krahëhapur si gjithmonë. Mirënjohje dhe falënderim për të gjithë qytetarët e Kosovës tonë krenare. Gjithmonë me Ju! HTH (Foto: Astrit Ibrahimi)”, shkroi Thaçi në Facebook.

PresidentiThaçi, mbrëmë pas përfundimit të intervistimit ka thënë se për katër ditë ka dhënë dëshmitë e tij lidhur me aktivitetet që ka bërë gjatë periudhës së luftës.

“Sapo përfundova dëshmin time para prokurorit të dhomave të specializuara. Më vjen shumë mirë që për katër ditë kisha mundësinë të jap dëshmitë për të gjitha çështjet që lidhen me aktivitetin tim gjatë periudhës së luftës, dhe përpjekjet e mija për paqe, stabilitet, zhvillim dhe progres. Gjatë këtyre katër ditëve, jam mundur të jap informacione për rolin tim, përgjegjësitë e mija gjatë luftës. Gjatë tërë kësaj periudhe kam qenë i shoqëruar nga avokati, përkundër faktit që dëshmia ime ka zgjatur shumë, kemi pasur seanca produktive, tani i mbetet prokurorit dhe gjykatësit që të vlerësojnë me paanshmëri dëshmitë e mija. Në rast se ata e bëjnë këtë në mënyrë profesionale ata lehtë mund të vijnë në përfundim se unë nuk kam bërë asnjë krim lufte”, tha Thaçi para mediave.

Muajin e kaluar Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Ende nuk është e qartë se kush bën pjesë në grupin e “të tjerëve”, siç i ka cilësuar Zyra e Prokurorit.


SHIKO EDHE: Mësoni si bëhet testi i COVID-19?