Lajme

Teologu Klinaku: Shteti duhet t’u ofrojë shkollim fëmijëve, pavarësisht bindjeve

Teologu dhe juristi, Abdullah Klinaku, vlerëson se shteti duhet t’ju ofrojë shkollim fëmijëve pavarësisht bindjeve të tyre fetare.

Klinaku, në Info Magazine në Klan Kosova, vlerëson se është e pamundur të flitet për diversitet dhe demokraci për aq kohë sa vajzat me shami nuk lejohen të vijojnë mësimin.

“Shamia s’ka qenë kurrë problem nacional i shqiptarëve, gjithmonë ka qenë pjesë e traditës së kombit edhe para se vijë Islami. Problemi i shamisë ka dalë si rezultat i një akti joligjor të një ministri dhe vazhdon të mbetet si i tillë. Të gjitha synimet dhe argumentet të cilat i ka pala e kundërt ose janë si pasojë e inferioritetit ose pasoja paranojake që nuk janë të bazuara askund. Nëse flasim për diversitet atëherë është pamundur duke qenë kundër një bindjeje me të cilën dikush e manifeston besimin e vet”.

“Përderisa pushteti tenton të ndërhyjë midis prindërve dhe fëmijëve dhe në shkollë po e privon atë prej arsimimit për cfarë diversiteti, demokracie dhe legjislacioni po flasim? Ky udhëzim administrativ as që duhet diskutohet që është në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Klinaku.

Teologu, mes tjerash, tha se në interpretimin e dhënë nga Bashkësia Islame e Kosovës pas kërkesës së Ministrisë së Arsimit më 2014, shamia nuk është pjesë e informës fetare, njofton Klankosova.tv.

“Shamia edhe në interpretim të Bashkësisë Islame që është kërkuar nga Ministria e Arsimit më 2014 është sqaruar që shamia nuk është uniformë fetare edhe MASHTI do të duhej që këtë interpretim ta respektonte” tha Klinaku.