Lajme

Të shtëna me armë në afërsi të eskortës së zv/kryeministrit Bislimi

Njësia e Mbrojtjës së Afërt që ishte sot në përcjellje të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi rrugës për Skenderaj u alarmua. Dikush gjuajti me armë zjarri, në fshatin Kryshec, teksa kjo njësi po përcillte eskortën e Bislimit, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Burime nga Prokuroria kanë bërë me dije se të shtënat me armë zjarri në ajër e shtynë Mbrojtjen e Afërt ta denoncojnë rastin në Polici, pasi nuk dihej se kush ishte caku dhe cili ishte qëllimi i të dyshuarit që shkrepi armën.

Sinjali mëson se personi i dyshuar V.A., është arritur të ndalohet nga Mbrojtja e Afërt e Bislimit, me ç’rast është konfiskuar arma me të cilën dyshohet se gjuajti dhe është ndaluar derisa kanë intervenuar njësitë policore.

Rruga për në kompleksin “Adem Jashari” i doli pak më e gjatë Bislimit, derisa njësia policore arriti në vendin e ngjarjes dhe e arrestoi të dyshuarin që veproi kundërligjshëm, duke përdorur armën të cilën e mbante pa autorizim.

Sipas të njëjtave burime, pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, i dyshuari ka deklaruar para hetuesve se të shtënat kanë qenë festive, për nder të festës së 28 Nëntorit dhe nuk ka pasur asnjë qëllim ndaj eskortës së zv/kryeministrit.

Përveç tij, Sinjali mëson se edhe një person tjetër është intervistuar, por në cilësinë e dëshmitarit.

Me t’u përfunduar procedurat në Polici, Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për dy vepra penale, për përdorim të armë dhe posedim të paautorizuar të armës.